“Vuçiç është më në siklet”, Kulluri: Albin Kurtit s’i falet të hyjë në konflikt me perëndimin

schedule18:42 - 17 Mars, 2023

schedule 18:42 - 17 Mars, 2023

SHQIPËRI- Ditën e nesërme në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, ku në fokus do jetë arritja e një marrëveshjeje për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, të cilat nuk e njohin ende njëra-tjetrën.

Analisti Edvin Kulluri në “Special Report” u shpreh se kjo është marrëveshja e parafundit mes palëve, e cila do të çonte më pas tek njohja e ndërsjellë. Sipas tij, vonesa e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia ka ardhur edhe për shkak të gjeopolitikës botërore, ku Rusia dhe Kina kanë luajtur rol të madh në pengimin e këtij procesi.

“Marrëveshja e propozuar është hapi i parafundit drejt njohjes, nuk jemi akoma tek shkalla e fundit, pra tek njohja. Është shans i madh. Pavarësia e Kosovës mori më shumë kohë seç duhet, po të kishim një Rusi dhe Kinë më të dobët, njohja e Kosovës mund të kishte përparuar më shpejt. Kosova është në moment që të shfrytëzoje situatën, për t’iu imponuar Serbisë me njohje dhe për ta zgjidhur këtë çështje, që rri pezull prej 24 vitesh, që kur NATO hyri në Kosovë”, tha ai.

Ai shprehet se me këtë marrëveshje fiton edhe Serbia pasi do t’i shpejtohej rruga për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian.

“Më këtë marrëveshje fiton edhe Serbia. I gjithë rajoni konsiderohet si shkallë e plotë. Të gjitha do të hyjnë në bllok në BE, sepse ndryshe nuk ka zgjidhje tjetër”, shtoi ai.

Analisti komentoi edhe “Non paper”, ku perëndimi duket se ka vendosur ultimatum për Kosovën dhe Serbinë për firmosjen e marrëveshjes pasi në të kundërt, siç ata paralajmërojnë, të dyja shtetet do përballen me izolim të plotë.

Kulluri thotë se më në siklet është Vuçiç për shkak të presioneve, që i vijnë edhe nga Rusia, ndërsa shtoi se Kurtit nuk i lejohet kurrsesi të hyjë në konflikt me perëndimin dhe një akt i tillë shton analisti do ishte shumë i rëndë për Kosovën.

“Non paper është i ashpër, i drejtpërdrejtë dhe i paprecedentë. Mua më intereson më shumë Kosova. Të dyja palët kanë luajtur deri tani si macja me miu, kur donte Kurti nuk donte Vuçiç kur donte Vuçiç, nuk donte Kurti. Më në vështirësi këtu është Vuçiç për shkak të presionit të madh nacionalist dhe kjo është politika tradicionale, kurse sa i takon Kurtit, është e pa tolerueshme të hyjë në konflikt më perëndimin. Do ta dënonte historia atë dhe Kosovën, nëse ai nuk do merrte përgjegjësinë që u takon, të tregohet i qartë dhe ta nënshkruajë marrëveshjen”, tha ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!