Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

28 nëntori i historisë/ Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja e parë publike e UÇK

schedule08:29 - 28 Nëntor, 2026

schedule 08:29 - 28 Nëntor, 2026

Më 28 nëntor 1955, në Prekaz të Skenderajt, lindi Adem Jashari, një nga figurat kryesore të rezistencës së armatosur shqiptare në Kosovë.

Ai ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit, ndërsa shkollën e mesme teknike e përfundoi në Skenderaj.

Pas shuarjes së institucioneve të Kosovës në vitin 1990, organizimi ushtarak i rezistencës mori një dimension të ri përmes Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK). Më 3 nëntor 1991, një grup veprimtarësh udhëtuan drejt Shqipërisë për të kryer përgatitjet dhe ushtrimet e nevojshme ushtarake, me synimin për t’u përgatitur për luftën e armatosur.



Shërbimet sekrete serbe arritën të identifikonin formacionin e armatosur, ndërsa më 30 dhjetor 1991, policia dhe forcat ushtarake serbe ndërmorën një aksion për kapjen e tij. Pas përleshjes me forcat serbe, grupi i Adem Jasharit kaloi në ilegalitet, ku qëndroi deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së nisi në shtator të vitit 1997, me sulmet ndaj 12 stacioneve policore. Me përshkallëzimin e dhunës së forcave serbe në Kosovë, rezistenca e armatosur kaloi në një fazë të re, atë të përballjeve të drejtpërdrejta.

Në fund të nëntorit 1997, në Rezallë të Re u zhvillua një betejë mes luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave të shumta të policisë serbe. Aty iu ndërpre rruga një kolone të armatosur rëndë serbe, e cila po përgatitej të sulmonte fshatin Vojnik.

Në këtë përballje, në krye të luftëtarëve ishin Adem Jashari, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra dhe Ilaz Dërguti. Ngjarja konsiderohet si një prej përballjeve të para të rëndësishme dhe fitoreve të njësitit të UÇK-së, duke marrë jehonë të madhe në opinionin publik.

Familja Jashari dhe shtëpia e tyre në Prekaz ishin prej kohësh në shënjestër të policisë serbe. Më 5 mars 1998, në orët e para të mëngjesit, forca të mëdha policore serbe mësynë fshatin Prekaz.

Sulmi nisi rreth orës 06:00, ndërsa në shtëpinë e Jasharëve ndodheshin pothuajse të gjithë anëtarët e familjes. Forcat serbe kishin vendosur pozicione zjarri dhe kishin përforcuar praninë e tyre me mjete të rënda artilerike. Përforcime të tjera kishin mbërritur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit.

Përballja mes forcave serbe dhe familjes Jashari zgjati tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Sulmi përfundoi me vrasjen e Adem Jasharit dhe dhjetëra anëtarëve të familjes së tij.

Kjo qëndresë, e cila shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vlerësimi ndërkombëtar dhe titulli Hero i Kosovës

Sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij është përmendur edhe nga personalitete ndërkombëtare. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernard Kouchner, kishte deklaruar se, nëse do të ekzistonte një Çmim Nobel për sakrificën për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Për kontributin dhe sakrificën e tij, me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari u nderua me titullin “Hero i Kosovës”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!