Burnley i është bllokuar merkato nga Liga angleze e futbollit pasi ka dorëzuar llogaritë e tyre me vonesë.
Në një deklaratë, kryesuesit e Championship thanë se llogaritë financiare i ishin dhënë njësisë së raportimit financiar të EFL dhe vonesa ishte për shkak të një ndryshimi në auditorët që zgjati më shumë se sa pritej.
Klubi beson se EFL nuk do të ketë asnjë problem me llogaritë. Ata gjithashtu thanë se kishin besim se çështja do të zgjidhej shpejt.
“Ne vazhdojmë të kemi dialog të rregullt me njësinë financiare për të siguruar që të mbetemi sa më të hapur dhe sa më transparentë dhe t’i përgjigjemi çdo pyetjeje që mund të ketë liga”, vazhdoi deklarata e Burnley.
“Ne besojmë se EFL nuk do të ketë asnjë problem me detajet e llogarive tona, përveç vonesës dhe e kuptojmë dhe mbështesim plotësisht pozicionin dhe përpjekjet e tyre për të sanksionuar çdo klub që dështon të respektojë ndonjë nga rregulloret e tyre”.
Skuadra e Vincent Kompany është në krye të kampionatit me 80 pikë nga 36 ndeshje, një epërsi prej 17 pikësh ndaj Middlesbrough në vendin e tretë. /G.D abcnews.al/