Kryeministri Grek, Kirjakhos Mitsotaqis ka kërkuar falje mbi tragjedinë e ndodhur në Temi.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook Mitsotaqis shprehet se në këto momente askush nuk mund të fshihet pas gabimit njerëzor dhe se drejtësia do të vihet në vend.
Kryeministri Grek shkruan se kjo ndjesë është një borxh ndaj të gjithë familjarëve të viktimave, një kërkes falje në emër të të gjithë atyre që kanë drejtuar vendin për disa vite.
Këtë të dielë ka përfunduar edhe identifikimi i trupave të pajetë nga laboratorët e policisë.
Janë 57 viktima, ku 55 prej tyre janë identifikuar. Sipas autoriteteve greke në mesin e të vdekurve ishte dhe një burrë i moshuar por askush nuk është paraqitur për ta kërkuar ose të japë një referencë ADN-je për identifikimin e tij.
Një nënë vijon ende të kërkojë vajzën e saj e cila ishte në tren, por nga ajo nuk është gjetur asnjë gjurmë.
Athina , Selaniku dhe qytete të tjera janë përfshirë edhe këtë të dielë nga protesta masive me qytetarë që ngrenë zërin mbi tragjedinë e rëndë.
Sindikatat e hekurudhave kanë paralajmëruar për një grevë masive. Trenat do të lëvizin vetëm nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 16:00 për të transportuar protestuesit.