Është betuar kryetari i ri i Bashkisë së Devollit Eduart Duro. Kjo ceremoni u realizua në ambjentet e Prefekturës, pasi mbështetësit e PD dhe LSI protestuan duke mos lejuar mbajtjen në ambjentet e bashkisë të mbledhjes së parë për konstituimin e Këshillit Bashkiak, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Ata u futën brenda në ndërtesë duke bllokuar hyrjen e saj për më tepër se një orë. Në këto kushte këshilltarët e majtë së bashku me fituesin e zgjedhjeve të 30 qershorit Eduart Duro, ju drejtuan ndërtesës së nënprefektures. Deputetët socialistë Taulant Balla dhe Niko Peleshi ishin në mbledhje, e cila u hap nga këshilltari më i vjetër i Këshillit Bashkiak aktual.
Më herët kreu i bashkisë Bledion Nallbati u shpreh i vendosur për të mos njohur zgjedhjet e 30 qershorit dhe fituesit e tyre, të cilat i konsideroi votime të PS ,në kundërshtim me dektetin e Presidentit dhe Kushtetutën.
Bashkia e Devollit është e para bashki në vend, që konstituoi Këshillin Bashkiak të dalë nga 30 qershori.
/ABC news Albania 24/7