Një 38-vjeçar është ndaluar nga policia në kuadër të operacionit “Bistrica 2019”. Ndaj A.L., banues në Sarandë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, ”Grupi i strukturuar kriminal”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 telefona celularë dhe një mjet tip “Volkswagen”.
Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, në Maj 2019 finalizoi operacionin antidrogë të koduar “Bistrica 2019”. Pas një hetimi pro-aktiv, përgjatë një harku kohor disa mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit u arrestuan dhe u ndaluan 13 persona.
Gjithashtu u sekuestruan rreth 147 kilogramë kanabis sativa, 4 automjete të markave të ndryshme, një sasi vlerash monetare dhe 14 aparate celularë me kartat Sim të markave të ndryshme.
Po gjatë operacionit, në kontrollet e ushtruara u sekuestruan edhe tre armë zjarri ku u vu në pranga një 52-vjeçar nga Mallakastra.
Në operacion u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier./ABC News Albania 24/7