Trupi i pajetë i nëntetares Zarife Hasanaj mbërriti në atdhe mbuluar me flamurin kombëtar. Të premten në mesdite në Pallatin e Kongreseve për dy orë e gjysmë do të kryhen homazhe në nderim të Dëshmores së Atdheut, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni.
Mbërriti në atdhe trupi i pajetë i dëshmores së atdheut, nëntetare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni. Arkivoli me trupin e nëntetare Hasanajt, i mbuluar me flamurin kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e saj shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO-s.
Për të pritur trupin e nëntetares Hasanaj, në Aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.
Pas pritjes me nderim ushtarak në aeroport, trupi i pajetë i nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare. Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00 – 12:30. Pas homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Zarife Hasanajt do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë./ABC News Albania 24/7