Sara Maliqi është mbrojtësja e kombëtares së Shqipërisë dhe Vllaznisë.
Ajo ka rrëfyer për “fshf.org” takimin e saj me futbollin, hapat e parë, kalimin te Vllaznia, idhullin e saj spanjoll dhe rëndësinë e të veshurit të fanellës kuqezi. Në fund nuk mungon edhe një mesazh i fortë të gjitha vajzat që duan të merren me futboll, apo të ndjekin ëndrra të tjera të tyre.
Karakteri i saj është i njëjtë me atë të një luftëtareje, e cila fiton në çdo betejë. Ajo rrëfehet për karrierën e saj dhe vështirësitë që ka hasur në rrugëtimin e “errët”.
-Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur ia nisët të luanit?
-Lojërat e fëmijërisë, dëshira dhe pasioni i madh që kam pasur për futbollin më kanë bërë që të përfshihem në këtë sport, edhe pse isha në një moshë shumë të re dhe nuk e dija nëse kjo ishte me të vërtetë ajo që unë doja të bëja. Vendosa që ta zhvilloj dhe t’i hedh hapat e mi të parë në vendin e lindjes, në Kaçanik, e për të shkuar më pas deri te realizimi i ëndrrës time më të madhe, përfaqësimi i Shqipërisë.
-Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka?
-Hapat e mi të parë kanë qenë të ngjashme me ato të çdo fëmije tjetër, që ka nisur rrugëtimin nëpër rrugicat e shtëpisë. Kur isha 13 vjeçe dëgjova që po hapej një klub futbolli për femra në vendin ku unë jetoja, në Kaçanik. Aty fillova hapat e mi të parë. Kam luajtur për 3 vite radhazi për vendim tim, pastaj mu ofrua mundësia të luaj edhe në disa ekipe të Shqipërisë, si Juban Danja dhe Kukësi. M’u dukën ekipe ku mund të zhvillohesha akoma më shumë. Më vonë mora një ofertë shumë të mirë nga ekipi kampion i Shqipërisë, Vllaznia. Ai ka qenë dhe synimi i arritjeve të mia, të jem pjesë e një klubi të tillë. I jam falënderuese për mundësinë dhe mirëpritjen që më bëri presidenti i klubit, Lazer Matija. Ai më bëri të ndihem si në shtëpinë time dhe vazhdoj ende karrierën time në ekipin e Vllaznisë, prej 7 vitesh. Aty mësova që futbolli nuk është vetëm një pasion, por gjithçka për mua. Më bëri të kuptoj që me punë arrihet gjithçka.
Falë përkushtimit të madh të klubit, që nuk ka munguar asnjëherë, pata mundësinë të gjej veten në ndeshje shumë të rëndësishme si ato të Champions League. Jemi përballur me ekipe shumë të mëdha dhe ia kemi dalë të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë rezultate pozitive dhe emocione që nuk përshkruhen me fjalë. Arritëm të kualifikohemi në Champions League, që është ëndërr e çdo futbollisteje. Kupat dhe medaljet, që sot i kam falë punës me Vllazninë, janë të shumta. Kujtimet dhe festimet janë të paharrueshme dhe do të ngelen gjatë në memorien time.
-Për femrat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë?
-Fillimet nuk i kam pasur të lehta. Futbolli i femrave si sport nuk ka pasur shumë mbështetje, për shkak të mentalitetit dhe paragjykimeve që ndodhin në vendin tonë. Ka qenë shumë e vështirë të bindesha që unë mund ta vazhdoja pasionin e madh që kisha për futbollin. Familja ime ka qenë shtysa më e madhe. Falë mbështetjes së saj arrita ta zhvilloj sportin që e doja më së shumti. Mbështetja e babit tim nuk më ka munguar asnjëherë. Ka qenë në çdo ndeshje timen, duke më mbështetur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke më mësuar për çdo gabim që e bëja brenda fushës ose për çdo urim që e merrja pas çdo ndeshje. Jeta kishte rezervuar diçka tjetër dhe më sprovoi me sfida të vështira, pasi e humba njeriun më të rëndësishëm në jetën time, babin. Kam menduar se aty më përfundoi edhe mua karriera ime si futbolliste. Mendova që ndeshja që lashë pas ishte e fundit për mua dhe nuk do të mund të përjetoja më emocione të tilla, pasi e kam përjetuar shumë keq humbjen e babit. Në kohën time më të mirë, kur kisha nevojë të ishte pranë meje, unë e humba. Para se të shkonte unë e dija që dëshira e tij më e madhe ishte që unë të luaja futboll e të vazhdoj synimet e mia për të arritur majat. Kjo ishte edhe arsyeja që jam ngritur sërish në këmbë, vetëm të arrij të vazhdoj ta bej krenar atë dhe mamanë time, e cila vazhdon e më mbështet edhe sot e kësaj dite në çdo hap të jetës time.
-Keni ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që ju motivon?
– Normalisht, si çdo sportiste, edhe unë kam një idhull që më ka frymëzuar shumë. Ai është lojtari i Barcelonës, Jordi Alba. E kam ndjekur atë në çdo ndeshje të tij, që kur kam filluar të luaj futboll. Edhe vetë luaj në të njëjtin pozicion dhe mendoj që i përshtatem atij në shumë cilësi, si shpejtësia apo lufta në ajër. Mundohem t’ia ndjek ndeshjet sa herë që kam mundësi, që të përmirësoj apo të korrigjoj veten në disa aspekte. Motivimi që marr prej ndeshjeve të tij më bën që të punoj dhe të zhvillohem akoma më shume për të ardhmen time.
-Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?
-Futbolli tek unë si lojtare dhe si njeri ka ndikuar shumë. Ndoshta mund të them se pa të, asgjë nuk do ishte siç është tani. Brenda futbollit, nëse do të hysh dhe të eksplorosh, do të mësosh shumë gjëra të reja, do të zhgënjehesh, por në fund do të mësosh që pas çdo humbje duhet të ngrihesh dhe të luftosh për rezultate të mira. Ka ndikuar te shoqëria ime, që sot falë futbollit kam një shoqëri të shëndetshme që është e gatshme të më mbështesë dhe të më japë kurajo edhe në momentet e vështira. Përsa i përket mentalitetit, më kanë parë edhe shpesh herë ndryshe për shkak te sportit. Ka pasur paragjykime të tilla si “futbolli nuk është për femra” ose gjëra të tjera, por kjo nuk më ka ndaluar mua dhe asnjë vajzë tjetër që ka pasur dëshirë për t’u dukur ndryshe ose për të menduar për ta lënë vetëm për këtë arsye. Përkundrazi duhet të vërtetojmë dhe ta thyejmë këtë tabu që ndoshta nuk ndodhet vetëm në sport.
-Kohët e fundit futbolli i femrave po merr mbështetje nga FIFA, UEFA dhe federatat. Si e shikoni këtë?
-Mbështetja e vazhdueshme nga FIFA ,UEFA dhe federatat normalisht që për ne është diçka shumë e mirë. Kohët e fundit kjo ka ndodhur dukshëm dhe ne e kemi ndjerë në çdo aspekt përsa i përket fushës së blertë. Mbështetja prej institucioneve të rëndësishme na bën të punojmë akoma më shumë, për ta çuar futbollin në nivele të larta. Motivimi nuk na ka munguar asnjëherë, sidomos në kompeticione të rëndësishme.
-Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?
-Të përfaqësosh ngjyrat kuq e zi do të thotë me të vërtetë shumë, do të thotë të përfaqësosh një komb të tërë, zemrat e të cilëve rrahin kuq e zi. Është një peshë shumë e madhe, duke qenë se unë jam një ndër të vjetrat e ekipit dhe emocionet që na ka përcjellë çdo ndeshje janë të shumta dhe të papërshkrueshme. Sa herë qe vishem me këto ngjyra e kuptoj akoma më shumë rëndësinë e të luajturit për vendin tim, e kuptoj sesa domethënëse është për të gjithë njerëzit që na ndjekin që të fitojmë dhe të japim më të mirën në fushë. Besoj se do të vazhdoj të mbetet kështu edhe për shumë breza të tjerë.
– Herën e parë te Shqipëria si e mbani mend? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë?
-Herën time të parë në fanellën kuq e zi e mbaj mend mirë, sepse në atë kohë për mua ka qenë një zgjedhje mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk ka qenë aspak i lehtë vendimi për të përfaqësuar kombëtaren shqiptare, pasi edhe Kosova është vendi ku unë jam lindur dhe rritur. Me zemër dhe me dëshirën e prindërve të mi, normalisht që zgjodha flamurin kuq e zi, një zgjedhje për të cilën krenohem. Përshtypjet përsa i përket grumbullimeve të mia të para kanë qenë shumë të mira. Ka pasur konkurrencë ndërmjet grupit, që është gjë e mirë dhe të shtyn të përmirësohesh akoma më shumë.
-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
-Besoj se kjo intervistë duhet të përcillet si një mesazh shumë i fortë për vajzat që duan të vazhdojnë rrugëtimin e futbollit. Nuk duhet të ndalen nga fjalët apo të lënë ëndrrat e tyre përgjysmë, në çfarëdolloj fushe të jetës, jo vetëm në futboll. Paragjykimet do të jenë gjithmonë në mesin tonë, por duhet t’i anashkalojmë duke u munduar të zgjedhim rrugën e duhur dhe pasionin më të madh për veten. Motivimi dhe mbështetja e familjes nuk duhet të mungojë kurrë./h.ll/abcnews.al