Ngjarja e mistershme në Shkodër, policia arreston në spital 34-vjeçarin që u plagos dhe kushëririn e tij

schedule14:38 - 5 Janar, 2022

schedule 14:38 - 5 Janar, 2022

Vinçens Piroli, 34-vjeçari që u plagos me armë zjarri dy ditë më parë në Shkodër është arrestuar nga policia. Atij i është komunikuar masat e arrestit në spitalin e Traumës, ku dhe po merr trajtimin mjekësor. Në pranga është vënë edhe kushëriri i tij 29-vjeçar, Marjan Marku (Nika), i cili ka transportuar Pirolin nga vendi i ngjarjes drejt spitalit të Lezhës dhe më pas është larguar pa njoftuar policinë.  34-vjeçari i kërkuar nga Mali i Zi për vrasje mori dy plumba, në bark dhe shpatull.

Lexo edhe: I plagosuri: Si më qëlluan pas shpine. Misteret e atentatit në Shkodër

“Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 03.01.2022, në Shkodër, ku persona ende të paidentifikuar dyshohen se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin V. P., 34 vjeç, i cili është transportuar nga vendi i ngjarjes në spitalin e Lezhës, me automjet, nga shtetasi M. M., specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë bërë ndalimin për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të shtetasve:

Lexo edhe: Kronologjia e atentatit kundër vrasësit: E ndoqën dhe e qëlluan sapo vuri këmbët në tokë

M. M., 29 vjeç dhe V. P., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Shtetasi M. M., më datë 03.01.2022, rreth orës 19:00, ka transportuar nga lagjja Bahçallëk, Shkodër, në Spitalin Rajonal Lezhë, shtetasin V. P., dhe më pas është larguar, pa njoftuar Policinë.

Shtetasi V. P., i cili aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, nuk ka njoftuar Policinë për ngjarjen dhe ka penguar organet e Policisë për zbardhjen e saj, duke mos deklaruar rrethanat. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje dhe zbardhjen e rrethanave të saj”, njofton policia. m.v/Abcnews.al