100 pemë të reja të llojit selvi në Unazën e Madhe të Tiranës

schedule14:43 - 14 Janar, 2018

schedule 14:43 - 14 Janar, 2018

2018-a do të jetë një vit rekord mbjelljesh në Tiranë. Premtimi vjen nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili mori pjesë në aksionin e mbjelljes së 100 selvive në Unazën e Madhe.

100 pemë të reja të llojit selvi iu shtuan segmentit te Unazës së Madhe në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi si një ogur të mirë që në fund të sezonit të mbjelljeve të thyejë rekordin e 100 mijë pemëve të reja.

“Nuk besoj se ka punë më të bukur se të qëndisësh Tiranën me pemë. Jam i bindur se në 2018-n do ta kapim rekordin e mbjelljes së 100 mijë pemëve në gjithë territorin e Tiranës. Kjo që shohim sot është kontributi i një njeriu që nuk është miliarder, që nuk ka lindur në Bllok, që as i ka lënë dikush trashëgimi, por një pjesë të suksesit të tij e ndan me qytetin e Tiranës. Po mbjellim 100 selvi nga secila anë e autostradës, në zonën e Saukut, dhe besoj se deri në fund të këtij sezoni mbjelljeje do të kemi markuar të gjithë atë segment që quhet Pylli Orbital”.

Kryebashkiaku përsëriti thirrjen drejtuar qyetarëve e bizneseve të kontribuojne për një qytet të gjelbër duke dhuruar pemë.
“U kemi bërë një sfidë të gjithë qytetarëve të Tiranës, për çdo ditëlindje, për çdo ceremoni, për çdo përkujtim, të dhurojnë një pemë ose një stol, kështu secili lë gjurmën e vet në qytet. Do keni mundësi që pas 10-15 vitesh, kur të mos jemi në bashki, të kemi mundësi të themi si qytet, që secili ka lënë gjurmën e tij në vendin që mori përsipër të ndihmojë”./abcnews.al