Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 20:00, në territorin e vendit janë regjistruar 31 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
* Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon operacioni në një perimetër të gjerë. Janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Janë hapur korridore që kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave; nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në terren janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës.
* Abazaj, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara; zjarri në Zidoll është në monitorim.
* Lufaj, Mirditë – Vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse, pavarësisht terrenit të vështirë dhe bimësisë së dendur. Nuk ka rrezik për banesat.
* Fushë-Lajë, Pukë – Zjarri mbetet aktiv në terren shumë të thyer, që vështirëson ndërhyrjen e forcave të MZSH. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Gjirokastër – Aktive mbeten vatrat në Sotirë, Libohovë dhe Krahës. Në Libohovë zjarri po shkon drejt izolimit, ndërsa në të gjitha rastet nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
* Gjormë, Selenicë – Vatra është vënë nën kontroll nga MZSH dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Dardhë, Librazhd – Vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.


