Zgjedhjet vendore në Kosovë, gjysmat e komunave shkojnë në balotazh

schedule09:20 - 23 Tetor, 2017

schedule 09:20 - 23 Tetor, 2017

Në një kohë që janë numëruar mbi 90 për qind e votave, duket se gjysma e komunave në Kosovë do të shkojë në balotazh në kuadër të zgjedhjeve vendore. Nga 38 komuna vetëm 19 prej tyre kanë mësuar fituesin Në bazë të rezultateve paraprake të publikuara online nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, del e qartë se shumica e komunave të mëdha do të shkojnë në balotazh për zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Ndërsa janë numëruar mbi 90 për qind e votave del se janë 19 komuna që shkojnë në balotazh nga 38. Në këto zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. As kryeqyteti nuk i ka shpëtuar balotazhit, në Prishtinë do të vendoset në raundin e dytë nëse komuna do të drejtohet nga kryetari aktual Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes apo Arban Abrashi i LDK-së. Gjakova do të ndahet në balotazh mes Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetares aktuale Mimoza Kusari Lila nga Alternativa.Dhe Gjilani mbetet mes LDK-së dhe vetëvendosjes me kandidatët përkatës Lutfi Haziri dhe Sami Kurteshi. Në Mitrovicën e JUgut janë PDK dhe AKR e Bexhet Pacollit që pretendojnë fitoren në raundin e dytë të nëntorit. Ndërsa në Prizren Haskuka i Vetëvendosjes do të përballet me Shaqir Totaj të PDK. Qytetet e tjera ku do të votohet për së dyti janë Ferizaj, Istog, Obiliq, Podujevë, Klinë, Kaçanik, Kamenicë, Rahovec, Shtime, Suharekë, Vushtrri, Malishevë, Dragash, dhe Kllokot. Ndërsa fituesit e së dielës janë në Pejë, Fushë Kosovë, Lipjan dhe Viti Lidhja demokratike e Kosovës; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së kryeministrit Haradinaj ka fituar dy komuna atë të Decanit dhe Junikut; Partia demokratike e Kosovës ka fituar vetëm komunën e Drenasit ku Ramiz Lladrovci ka marrë mandatin e tij të dytë; në komunat e Skënderaj dhe të Hanit të Elezit kanë fituar kandidatë të pavarur përkatësisht Bekim Jashari dhe Rufki Suma; Lista Serbe ka fituar në plot nëntë komuna që në raundin e parë të zgjedhjeve vendore përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Gracanicë, Ranilug dhe Partesh. Ndërsa në Mamushë ka fituar Abdulhadi Krasniv i minoriteteve. Nga 1.890.952 qytetarë me të drejtë vote në Kosovë, votuan 819.865 prej tyre duke bërë që pjesmarrja në votime të jetë 43.68 për qind.