Analisti Artur Nura, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar deklaratat e komisioneres europiane Marta Kos në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur në Tiranë, duke i cilësuar ato si një sinjal të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas Nurës, fakti që Brukseli po artikulon tashmë objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në vitin 2027, një afat i përmendur më herët nga Tirana zyrtare, tregon mbështetjen e BE-së për përshpejtimin e këtij procesi.
Ai theksoi gjithashtu se integrimi europian do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset shqiptare, veçanërisht në fushën e transportit, investimeve dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.
“Ne deri dje kemi komentuar që Tirana synon 2027-ën, po synon 2030-ën. Sot nuk është Tirana që e bën këtë deklaratë e bën Brukseli, marta Kos. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është tejet i veçantë, është gjeopolitike.
Dy janë vendet nga BE që kanë kaluar klasën me nota optimale. Në vitin 2027 ka thënë gjithmonë Tirana, sot ka thënë Brukseli. Brukseli po mbështet anëtarësimin e shpejtë. Kjo është shpejtësia e veçantë e këtij integrimi.
Tashmë do të kemi përfitime të qytetarëve, do fillojë puna, do fillojë përfitimi. Në këtë rast do të ketë investime në fushën e transportit, që do të lehtësojnë qarkullimin me BE-në. Rasti i Tiranës është rast optimal. Tani ka ndryshuar që ti do i përfitosh të gjitha këto edhe pa firmosjen e traktatit. Kompanitë shqiptare do t’i përshtaten rregullave të Unionit”, tha Nura.


