VIDEO/ Vllaznia zot shtëpie me Partizanin, Skënderbeu zhyt Egnatian

schedule18:41 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 18:41 - 8 Dhjetor, 2021

Vllaznia i përgjigjet Tiranës kryesuese, pasi ka mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Partizanin dhe përforcon pozitat në vendin e tretë dhe mban hapin e bardhebluve.

Liridon Latifi ishte ai që vendosi fatet e ndeshjes në “Loro Boriçi”. Në minutën e 28-të ai nuk gaboi brenda zone dhe e ndëshkoi portierin Teqja, i cili në minutën e pestë kishte bërë shpëtimtarin me Djurdjevic.

Ky i fundit edhe në pjesën e parë ishte shumë pranë goli, por shtylla ia mohoi. Shkodranët në minutën e 67-të mbetën me një lojtar më pak, pasi Krymi u ndëshkua me karton të kuq.

Partizani u hodh në sulm dhe mundësinë më të mirë e pati me Esat Malën, në minutën e 79-të, por Zogovic e ndali mesfushorin e “demave”. Shkodranët rezistuan me një lojtar më pak deri në fund dhe morën tre pikët.

Skënderbeu ka marrë pikë jetike kundër Egnatias. Korçarët fituan me rezultatin e pastër 2-0 dhe barazojnë me pikë rrogozhinasit, që zbresin në vendin e parafundit.

Skuadra e Migen Memellit nuk ishte edhe aq mirë në pjesën e parë, por në të dytën shpërtheu dhe shënoi që në fillim me Mensah (47’).

Tre minuta nga fundi i mbylli llogaritë Elvi Berisha, i cili me një goditje të kalibruar e çoi topin në rrjetë. Me atë gol mori fund gjithçka dhe Skënderbeu mori tre pikët. / abcnews.al