Trofetë, bojkoti dhe Vllaznia surprizuese: Kartolina e Superiores

schedule20:31 - 30 Dhjetor, 2020

schedule 20:31 - 30 Dhjetor, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit e kishte ruajtur edhe një tjetër kartolinë, pas urimit të para disa ditëve. Një bilanc i vitit, me ngritjen në piedestal të Vllaznisë kryesuese të kampionatit. Sfida me pandeminë nuk u la mënjanë, sikurse edhe triumfet e Tiranës dhe Teutës, apo bojkoti, që u prekën gjithashtu.

“365 ditë sa të çuditshme aq dhe të paharrueshme. Do të mbahen mend për vështirësitë që kaluam, për emocionet e forta, 100 vjetorin titull të Tiranës, Europën suksesshme të klubeve shqiptare dhe rilindjen e Vllaznisë për titullin kampione dimri.

Futbolli mësoi të bashkëjetoj me pandeminë, me vështirësi dhe shëmtuar me stadiumet pa tifozë por sërish futbolli nuk u dorëzua.

Viti 2020 nisi vrullshëm me duelin mes Tiranës dhe Kukësit, duel që u ndërpre në Mars nga izolimi prej Covid 19. Rinisi në Qershor për t’u fituar nga bardheblutë që arritën të festojnë me titull shekullin e parë të krijimit. Kupën dhe Superkupën për Teutën që festoi gjithashtu 100 vjetorin e krijimit të klubit. Europa më pas i bëri krenar shqiptarët për kualifikimet historike. Tirana, Kukësi, Teuta dhe Laçi u kualifikuan për të mos u mjaftuar me pjesëmarrje.

Në shtator futbolli ndaloi sërish për një kauzë të drejtë. Bojkoti i përkohshëm për të fituar pak të drejta të merituara, që më tepër se të sotmes i shërbejnë te nesërmes. Premtimi për zgjidhje erdhi i vonuar, por erdhi dhe tani është momenti që Qeveria të mbajë premtimin.

Futbolli rinisi sërish në kushte pandemie, me protokoll sigurie, stadiume të mbyllura dhe sportdashësit të mbërthyer para ekranit. Vllaznia e bëri më të bukur këtë pjesë të parë të sezonit. Gola, pikë, emocione dhe në fund me shumë meritë titulli simbolik i kampiones së dimrit.

Në Janarin e vitit 2021, pas vetëm pak ditësh shtëpia e futbollit, stadiumi “Air Albania”, do të hapë dyert për të nisur fushatën vaksinuese të popullsisë. Zgjidhja për të na rikthyer në normalitet duket e afërt. Futbolli sërish do të kontribuoj fort për të. Deri atëherë dhe pse është shumë afër… Gëzuar!”, shkruhet në kartolinën e ligës. /abcnews.al