Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

SHBA kërkon ekstradimin e “El Chapo Isidro” pas arrestimit në Meksikë

schedule22:36 - 23 Nëntor, 2026

schedule 22:36 - 23 Nëntor, 2026

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur kërkesë për ekstradimin e trafikantit të njohur të drogës, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro”, i cili u vu në pranga nga autoritetet meksikane. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Sigurisë së Meksikës, Omar Garcia Harfuch.

Arrestimi u realizua të premten në mbrëmje, gjatë një operacioni të forcave ushtarake në shtetin e Sinaloas. Së bashku me Meza Flores, në pranga përfunduan edhe dy drejtues të tjerë të organizatës kriminale që ai drejtonte. Ai ishte renditur mes 10 personave më të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA, raportojnë mediat ndërkombëtare, duke iu referuar Reuters.

Deri më tani, autoritetet meksikane nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare nëse do të pranojnë kërkesën amerikane për ekstradimin e tij.



Operacioni u shoqërua me përplasje të armatosura, pasi persona të dyshuar si pjesë e grupit kriminal sulmuan forcat e sigurisë në përpjekje për të penguar arrestimin dhe për të liruar Meza Flores. Sipas ministrit meksikan të Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, nga përplasjet mbetën të vrarë 16 anëtarë të dyshuar të organizatës.

Në aksionin policor dhe ushtarak u angazhuan 361 efektivë ushtarakë dhe 14 mjete ajrore.

Departamenti Amerikan i Shtetit e akuzon Meza Flores dhe organizatën e tij për trafikimin e sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës dhe marihuanës drejt territorit amerikan, aktivitet kriminal që, sipas autoriteteve amerikane, ka vijuar për më shumë se 20 vjet.

Kapja e tij vjen në një periudhë kur Meksika ka intensifikuar operacionet kundër figurave të rëndësishme të karteleve të drogës, mes presionit në rritje nga presidenti amerikan Donald Trump për të forcuar luftën ndaj organizatave kriminale.

Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërmarrë edhe veprime të njëanshme ushtarake në territorin meksikan, nëse administrata e tij vlerëson se autoritetet e Meksikës nuk po bëjnë mjaftueshëm për të frenuar aktivitetin e karteleve të drogës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!