“Sulltan Novruzi” Baba Mondi uron i vetëm besimtarët: Për herë të parë s’do shtrëngojmë duart, s’ka vend për ligështi

schedule15:17 - 22 Mars, 2020

schedule 15:17 - 22 Mars, 2020

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve kurrë më parë nuk e kishte provuar zbrazëtine e oborrit dhe ambjenteve të saj në një ditë të bekuar siç është ajo e Sulltan Novruzit. I vetëm dhe me dorezat për të shmangur çdo kontakt fizik, kryegjyshi botëror Edmond Brahimaj kujtoi se pas 800 vitesh festa e Sulltan Novruzit nuk do të festohet fizikisht por shpirtërisht me të gjithë besimtarët.

“Për të parën herë nuk do të mund të shtrëngojmë duart së bashku. Jeta njerëzore kaq papritur gjendet përballë rreziqeve të tilla. Duke qenë krijesa të një zoti, padyshim çdo i prekur nga COVID-19 ne na trishton”, u shpreh ai.

Një mesazh baba Mondi e kishte edhe për politikën shqiptare.

“Shqipëria jonë e vogël ta kalojë sa më lehtë këtë tragjedi. Lutemi që politikanët tanë të kuptojnë se janë njerëz krejt të zakonshëm”, u shpreh ai.

Në ditët e vetëizolimit edhe vetë politika urimet për Sulltan Novruzin i bëri përmes rrjeteve sociale.

Presidenti Meta kërkoi që këto ditë të vështira të kthehen në lutje drejt Zotit për shëndetin e çdo anëtari të familjes Tuaj dhe të gjithë shqiptarëve, duke shprehur bindjen se së bashku do t’ia dalim! Edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha kërkoi që me forcën që na ka bërë të pamposhtur në historinë tonë dhe besimin në Zot, shqiptarët ta kalojmë këtë sfidë! /abcnews.al