Situata në PD, Mustafaj: Procesi i bashkimit bëhet në bazë e jo në Grupin Parlamentar

schedule21:13 - 23 Maj, 2022

schedule 21:13 - 23 Maj, 2022

Sali Berisha është zgjedhur ditën e djeshme në krye të Partisë Demokratike me mbi 40 mijë vota. Zgjedhja e kryetarit, për analistin Besnik Mustafaj ka rëndësi të madhe për PD-në pasi i hap rrugën zgjedhjes së strukturave të reja të partisë.

I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, teksa komentonte situatën aktuale në PD, Mustafaj tha se nëse Gjykata e Apelit do të vendosë në favor të Alibeajt do të kemi një grup që sipas tij në pjesën më të madhe të rasteve do të marrin vendime që i përshtaten kreut të qeverisë Edi Rama.

“Procesi i bashkimit bëhet në bazë, jo në Grupin Parlamentar. Zgjedhja e kryetarit ka rëndësi të madhe se i çel rrugën zgjedhjes së strukturave të tjera. Pra të gjithë demokratët duhet ta mendojnë si proces, që kush ka mbetur rrugën e ka të hapur. Nëse do t’i jepet të drejtë grupit të Alibeajt do të jetë si grupi që ishte pas daljes nga parlamenti, një grup individësh që kanë siglën, interlokutorë të Ramës, do të marrin vendime që i përshtaten atij në shumë raste. Dhe, kjo do të vijojë deri në zgjedhjet e reja.”

Sipas Mustafajt, në zgjedhjet e ardhshme lokale, grupi i Alibeajt nuk do të hyjë në zgjedhje pasi janë pa anëtarësi, pa asnjë strukturë në bazë.

Ndërsa, duke folur për përballjen sot në Parlament mes opozitës dhe mazhorancës, Besnik Mustafaj thotë se Sali Berisha ishte plotësisht opozitari formal. Pra, koha që kishte në dispozicion, dhe argumentet që solli treguan që “lideri historik i demokratëve ishte përfaqësuesi i vërtetë i opozitës në parlament, de facto.” /abcnews.al/