Situata e përmbytjeve në legjislacionin shqiptar

schedule13:40 - 4 Dhjetor, 2017

schedule 13:40 - 4 Dhjetor, 2017

Situata e reshjeve në vend është në përmirësim, gjë që i ka bërë dëmet edhe më të dukshme. Kabineti qeveritar dhe deputetët e opozitës prej ditësh janë në terren, por gjendja e emergjencës civile nuk është shpallur. Çfarë duhet të bëjnë qytetarët në këtë rast?

Prej një jave Shqipëria po mundohet të përballojë situatën ku është futur.

Forcat e Armatosura, ministrat, deputetët mazhoritarë dhe opozitarë kanë zbritur në terren.

Problemet janë të shumta.

Ajo që bie në sy është se pavarësisht dëmtimeve dhe daljes në terren të çdo ministri, kabineti Rama ende nuk ka shpallur gjendjen e emergjencës në asnjë prej zonave të prekura nga përmbytjet, tagër ky pikërisht i këshillit të ministrave.

Kushtetuta e Shqipërisë është ajo e cila në nenin 170 të saj shprehet se masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose fatkeqsisë natyrore.

Në retorikë, por edhe në rezultate, shumë zona të Shqipërisë sot përkufizohen nga ky nen i ligjit themeltar të shtetit, i cili detajet për mënyrën e shpalljes dhe veprimtarisë së organeve, ia ngarkon ligjit.

Pikërisht këtij neni të Kushtetutës i referohet edhe ligji për emergjencat civile, i cili në nenin 5 të tij mban pikërisht Këshillin e Ministrave përgjegjës për planizimin dhe përballimin e emergjencave civile.

Deri më sot gjendja e emergjencës nuk është shpallur ende edhe pse qëllimi i ligjit përcakton se planizimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit, që synojnë parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin..

Ajo që ndryshon për qytetarët në këtë rast është minimalisht proceduriale.

Nëse në rastin e gjendjes së emergjencës civile, ligji përcakton Këshillin e Ministrave si përgjegjës për vlerësimin e dëmeve dhe asistencën për riaftësim, në këtë rast procedura ndryshon.

Ligji për kriteret dhe procedurat e dhënies së ndihmës shtetërore financiare për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, përcakton se në rastet kur nuk është shpallur gjendja e emergjencës civile, familjet që kanë pësuar dëme duhet të paraqesin kërkesën e tyre për ndihmë financiare pranë organit të qeverisjes vendore përkatëse. Në këtë rast, vetëm pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në banesa, nga një komision ekspertësh të krijuar nga këshilli i qarkut të qeverisjes vendore përcaktohet masa e dëmshpërblimit për familjarët.

Kryeministri Edi Rama, nga një mbledhje e Komitetit të koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, njoftoi se edhe këtë vit shteti do të marrë përsipër kompensimin e dëmeve edhe pse nuk shpjegoi mbi ç’bazë ligjore./abcnews.al

https://youtu.be/b1sK9sgaTDU