TIRANË- Elisa Spiropali është përjashtuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Ky vendim u mor sot në mbledhjen e grupit.
“Vendimi i fundit i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është përjashtimi i deputetes Elisa Spiropali. Pas përjashtimit nga forumet prej Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, tashmë është konfirmuar edhe përjashtimi i saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste”,
Ajo nuk do të jetë më deputete e Partisë Socialiste, ndonëse ka dalë nga listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit të vitit 2025. Tashmë ajo mund të quhet zyrtarisht një deputete e pavarur dhe është humbja e dytë e Partisë Socialiste pas Marjana Koçekut, të dyja të larguara pas nisjes së revolucionit të flamingove, protestave të bulevardit.
Pas përjashtimit të Elisa Spiropalit, Partia Socialiste mbetet me 81 mandate në parlament. Por në rastin e Elisa Spiropalit, ishte vetë Elisa Spiropali, e cila nisi një betejë kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.
Madje ishte paralajmëruar disa herë, por kohët e fundit rezultoi se beteja politike e Elisa Spiropalit ishte në fund një mbrojtje për interesa personale të bizneseve të familjes së saj, pasi bizneset e bashkëshortit të saj janë kapur në evazion fiskal në shkallë të lartë, siç e konfirmoi edhe ditën e djeshme drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News. Dhe me sa duket tashmë Partia Socialiste ka thënë “mjaft” dhe e ka përjashtuar Elisa Spiropalin. Me këtë vendim të sotshëm, Elisa Spiropali nuk është më pjesë e Partisë Socialiste.”, raportoi gazetari i ABC News, Andon Kello.



