Në prag të duelit me Vllazninë, trajneri i Tiranës, Orges Shehi, është shprehur para mediave: “Është e vërtetë që përballemi me një kundërshtar direkt edhe nga afërsia në tabelë, por edhe nga cilësia. Është një ndeshje që vjen pas pauzës dhe ka rëndësi të veçantë.
Duam të hyjmë sa më shpejt në ritëm dhe të fillojmë sa më shpejt përsëri ku e lamë. Nuk i druhemi asnjë kundërshtari dhe asnjë lloj mënyrë loje, ne kemi mënyrën tonë dhe aty do të përqendrohemi”.
“Kalendari na rezervon përballje të forta, por dihet që do të vijë edhe koha e përballjeve të forta. Jemi në një kampionat që ka shumë pretendentë. Nuk duhet të fokusohemi te ndeshjet e tjera, duhet të përqendrohemi vetëm te e nesërmja. E dimë që është ndeshje e fortë, kërkon vlerësim, përqendrim dhe mentalitetin që kishim më parë”.
“Sulmi? Devid është stërvitur gjithë javën, dimë që drejtuesit dhe klubi po bëjnë punë intensive për ta federuar. E dimë edhe që Devid nuk është se është lojtar i lirë, ka kontratë edhe me klubin tjetër. Me sa kam dijeni pritet edhe konfirmimi nga klubi tjetër, për të vazhduar procedura e federimit. Formacioni? Se çfarë lojtarësh do të hedhim në fushë dhe si zhvillohet ndeshja, do ta shohim nesër”.
“Tirana në vitin 2021 ka bërë mirë, por si të gjithë kemi mangësi dhe duhet të përqendrohemi për t’i rregulluar. Nuk ka ekip perfekt. Do të doja të vazhdonim ku e kemi lënë, por gjithmonë duke mos pasur limite. Ne kurrsesi nuk mund të fshihemi, jemi klub që gjithmonë kemi objektiva madhorë.
Na pret një rrugë edhe më e gjatë se ajo që kemi kaluar dhe më e vështirë. I gjithë përqendrimi është te Vllaznia nesër. Nuk i druhem asnjë lloj gjëje, kam në përbërje lojtarë me karakter, me cilësi të mira sportive dhe kur ke të tillë në dispozicion, se ka të bëjë shumë cilësia dhe karakteri, nuk i druhem asnjë lloj situate dhe asnjë lloj kundërshtari”. / abcnews.al