Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për 12 të pandehurit në dosjen ku përfshihen Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi dhe persona të tjerë, të akuzuar për disa vepra penale, mes tyre sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje dhe pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal.
Dënimet më të larta, nga 10 vite burg, u dhanë për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin. Të dy do ta vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë. Me 8 vite burg u dënua Gjergji Cukali, ndërsa 6 vite e 8 muaj burg u caktuan për Besian Xhixhën, Enver Divën dhe Viktor Imerajn.
Ndërkohë, Blerim Abazi, Robert Laçi dhe Satilno Basho u dënuan me nga 6 vite burg, Naim Stafuka me 5 vite, ndërsa Xhelal Rraja me 4 vite burg. Për Miri Brulin, gjykata caktoi 3 vite e 4 muaj burg, por urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha e kaluar në paraburgim ishte më e madhe se dënimi i dhënë. Të gjithë të pandehurit u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar./abcnews.al


