Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Samiti Shqipëri-Izrael/ Rama: Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë pas sulmeve kibernetike të Iranit

schedule12:51 - 12 Maj, 2026

schedule 12:51 - 12 Maj, 2026

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me Izraelin, duke e cilësuar atë si një shembull të jashtëzakonshëm të zhvillimit të bazuar në dije dhe teknologji.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se teknologjia dhe digjitalizimi janë rruga përmes së cilës vende si Shqipëria mund të bëjnë “një kërcim përpara”, duke kapërcyer pengesat që shpesh edhe vendet më të zhvilluara e kanë të vështirë t’i tejkalojnë.

Kryeministri kujtoi gjithashtu marrëdhënien historike mes Shqipërisë dhe popullit hebre, duke theksuar se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj sesa para nisjes së luftës.



Sipas Ramës, shqiptarët, veçanërisht myslimanët, strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë gjatë periudhës së Holokaustit, duke rrezikuar jetët e tyre për t’i shpëtuar.

Duke folur për strehimin e opozitarëve iranianë në Shqipëri, Rama u shpreh se vendimi nuk ishte politik, por humanitar, pasi jetët e tyre ishin në rrezik. Ai deklaroi se ky veprim solli reagim nga regjimi iranian, i cili kreu sulm hakmarrës ndaj infrastrukturës digjitale shqiptare. Kryeministri theksoi se falë mbështetjes së Izraelit dhe vendeve të tjera, Shqipëria arriti ta përballojë me sukses sulmin .

“Sa më shumë e njoh Izraelin, aq më shumë e kuptoj se të bësh bashkë kaq shumë izraelitë nuk është e lehtë. Faleminderit që keni ardhur dhe keni sjellë vullnetin tuaj dhe dijen tuaj për të na ndihmuar të ecim përpara në një rrugë që e kemi çelur, duke i besuar teknologjisë së re, duke i besuar digjitalizimit të infrastrukturës sonë dhe duke i besuar bekimit që është teknologjia e re për vende si tonat, vende të cilat janë pas, por që përmes teknologjisë mund të bëjnë një kërcim përpara dhe mund të bëjnë gjëra që ndonjëherë vendet e mëdha, shumë më të zhvilluara, më të suksesshme në mënyrat e vjetra, e kanë të vështirë t’i bëjnë.

Izraeli është shembulli më i jashtëzakonshëm se ç’dallim mund të bëhet bazuar në dije dhe jo në burime. Ne besojmë fort te kjo marrëdhënie dhe kemi arsye për këtë. Jo vetëm për shkak të historisë sonë, që është një histori e lidhjes së krijuar në kohët më të errëta për popullin hebre, kur Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i vetëm në Europë që numëronte më shumë hebrenj sesa përpara se të niste lufta. Kjo, së pari, falë myslimanëve të Shqipërisë, të cilët morën çdo hebre si ‘vëlla e motër’ dhe vunë jetët në rrezik për të mbrojtur hebrenjtë.

Kjo është një histori që e shtrëngojmë fort dhe ne po përpiqemi t’ia rrëfejmë brezit të ri, jo për hir të hebrenjve, por për hirin tonë. Për mënyrën se si duhet të shfaqemi për botën ku jetojmë dhe si duhet të përgatitemi për atë çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, jo vetëm për hebrenjtë, por edhe për të tjerët.

Ne u hapëm derën disa mijëra iranianëve që janë në opozitë dhe nuk e bëmë për shkak të një motivi politik; e bëmë sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe askush nuk donte t’i shpëtonte. Ne iu hapëm dyert, iu dhamë strehë dhe bëmë një marrëveshje, të cilën e kemi ende, që ata mund të jetojnë në Shqipëri, të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri jashtë çdo rreziku dhe për aq kohë sa është e nevojshme.

Kjo erdhi me hakmarrje nga regjimi iranian, që nuk e duronte dot këtë gjë dhe na sulmoi. Sulmoi atë që kishim ndërtuar pa reshtur për vite të tëra për të transformuar shërbimet tona publike. Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë. Falë kësaj ndihme, dhe ndihmës edhe të miqve nga Emiratet, plus disa ekspertëve nga ShBA i mbijetuam këtij sulmi. Mësuam se duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtjeje.”, theksoi Rama.

Ndërkaq, samiti Shqipëri-Izrael bëri bashkë 40 kompani inovative izraelite për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë së fjalës së fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!