Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Rama prezanton projektin e Teatrit të ri Kombëtar

schedule21:02 - 12 Mars, 2018

schedule 21:02 - 12 Mars, 2018

Kryeministri Edi Rama nuk stepet nga kundërshtimet e aktorëve. Teatri Kombëtar do të shembet dhe i riu do ndërtohet në të njëjtin vend përmes Partneritetit Publik Privat. Në një sallë të mbushur me aktorë u prezantua projekt-propozimi për teatrin, që Kryeministri tha se do të jetë pa kullë.

Teatri Kombëtar do të shembet dhe mbi gërmadhat e tij do të ndërtohet teatri i ri. Kryeministri Edi Rama e përsëriti disa herë gjatë prezantimit të projekt-propozimit, ku deklaroi se hapësira në dispozicion të tij do të trefishohet.



Edi Rama: “Ku salla kryesore, nga 480 vende që ka sot, do ketë 620 poltrona, ku krijohet dhe një sallë e re, e hapur, mbi Teatër, me mbi 100 vende dhe ku ka dhe dy salla të reja të tipit black box, me nga 100 vende secila”.

Një hapësirë e veçantë do t’i dedikohet atyre që kanë lënë gjurmë në teatër.

Edi Rama: “Kështu që, kush ka kaluar në atë histori dhe ka lënë gjurmën e pashlyeshme të yllit të vet, por nuk jeton më, do të jetojë aty si shëmbëlltyrë në hapësirën e përgatitur enkas. Ashtu sikundër, kush sot del e bën protesta që të mos prishet godina do duhet të mendojë se si të lërë yllin e vet aty, se godinës nuk ka absolutisht çfarë i bën më”.

Kryeministri tregoi se debatet për ndërtimin e teatrit i ka dëgjuar, por pa ndonjë vëmendje të veçantë dhe për këtë dha argumentin e tij.

Edi Rama: “Është i njëjti debat që përsëritet, vetëm se gjithmonë e më shumë mungojnë protagonistët e fillimit të debatit, pasi jeta bën të vetën dhe ndahen nga jeta e shfaqen të tjerë, që në ndryshim nga ata të parët nuk kanë as reputacionin dhe as hijen e tyre në historinë e Teatrit, por kërkojnë çuditërisht, të qëndrojnë në hijen e godinës së vjetër të Teatrit, e cila do shembet.”

Kryeministri e bëri këtë deklaratë në një sallë të mbushur me aktorë, ku nuk mungonin dhe nga ata që kanë rreth gjysmë shekulli në skenë si përshembull Robert Ndrenika.

Shefi i qeverisë deklaroi se nuk lëviz nga pozicioni i tij i vjetër dhe se ndërtimin e teatrit të ri do ta bëjë realitet përmes Partneritetit Publik Privat, ku qyteti do të fitojë teatrin, ndërsa kompania do të realizojë projektin e saj si pjesë integrale e qendrës së Tiranës.

Edi Rama: “Kompania nuk do vijë të bëjë Teatrin, edhe të shkojë në falimentim. Në pjesën tjetër do bëjë zhvillimet e veta, që do jenë pjesë integrale e zhvillimit të qendrës së re të kryeqytetit, për të cilën do flasë vetë arkitekti. Nuk është një Teatër me kullë, por nuk do ishte asnjë mëkat dhe po të ishte nën kullë. Teatrot e broadway-t janë të gjithë nën kulla, por, kur shkojnë njerëzit në teatër, nuk shohin kullën, shohin teatër.”

Projekti për teatrin është hartuar nga arkitekti i njohur, Biarke Ingels, dhe pas shqyrtimit të propozimit nga pikëpamja formale do të hartohet një projektligj i veçante që do të kërkojë miratimin në Parlament./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!