Përcillet për në banesën e fundit Luan Hajdaraga

schedule17:02 - 31 Korrik, 2018

schedule 17:02 - 31 Korrik, 2018

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit Luan Hajdaraga, Kuvendi organizoi ditën e sotme ceremonialin e homazheve në nder te tij. Pas këtij ceremoniali, familjarë e miq të shumtë e përcollen për në banesën e fundit.

Familjarë, miq dhe kolegë i dhanë lamtumirën e fundit ish-ministrit dhe ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Luan Hajdaraga.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pas homazheve që u organizuan në sallën e seancave plenare të nderimeve, e quajti momentin e lamtumirës ndaj bashkëpunëtorit të tij të vjetër,  jo si të botës reale.

“Kujtimet me të janë kaq të shumta dhe kaq të jashtëzakonshme. Ai ishte kaq mendjehapur dhe po kështu me një sens të lartë humori saqë vërtet për mua do të mbetet gjithmonë i gjallë, i këndshëm dhe një njeri i përkushtuar për të përmbushur përgjegjësitë e tij dhe gjithmonë mjaft miqësor me të gjithë”.

Të tillë e kujton zëvendësin e saj në postin e ministrit të Jashtëm edhe Arta Dade.

I pranishëm në ceremoninë e homazheve ishte edhe kryetari i BDI-së Maqedonasë Ali Ahmeti, i cili në kujtim të ish-ministrit të Mbrojtjes shqiptare Luan Hajdaraga shprehu vlerësimin e tij.

Gjatë ceremonialit morën pjesë ministra të kabinetit dhe deputetë të gjithë kaheve politike.

Në fjalën e rastit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shprehu hidhërimin dhe humbjen që i sjell të majtës, por edhe gjithë politikës shqiptare ndarja përpara kohe nga jeta e Hajdaragës.

Në përfundim të homazheve, ish-ministri i Mbrojtjes i viteve ‘98–2000, ish-deputeti dhe nënkryetari i Partisë Socialiste, u përcoll për në banesën e fundit./abcnews.al