Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka mbrojtur politikat ekonomike të qeverisë dhe projektbuxhetin 2027, duke theksuar se Shqipëria ka shënuar zhvillim ekonomik dhe se perspektiva për të ardhmen është edhe më pozitive.
Rama u ndal te rëndësia e investimeve të huaja, investimeve në infrastrukturë dhe mbështetja për shtresat e ndryshme të shoqërisë, si pensionistët, çiftet e reja, studentët dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, ai deklaroi se ekonomia shqiptare është më e fortë se më parë dhe se synimi i qeverisë është krijimi i më shumë pasurisë dhe shpërndarja e saj në mënyrë më të drejtë. “Kjo Shqipëri është Shqipëri tjetër dhe ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër. Ekonomia shqiptare nesër do të jetë shumë më e fortë se ekonomia sot”, u shpreh Rama.
“Nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast që të gjitha këto lehtësime nuk bien nga qielli, por janë në sajë të një pune të shqiptarëve që nuk dalin në televizor, që nuk shajnë në TikTok, por të shqiptarëve që janë të organizuar në sipërmarrje, në ferma, në shërbime, që i jep sot mundësinë Shqipërisë të japë më shumë. Unë e refuzoj në mënyrë kategorike çdo thirrje, qasje, poshtërsie, në kurriz të këtij vendi, që kundërshtojnë investimet e huaja.
Sot të gjitha vendet janë në një konkurrencë gjithnjë e më të egër se kush të tërheqë investime të huaja, ne nuk mund të jemi vendi që, kur dera hapet për investimet e huaja, ne të sillemi sikur duam të mbrojmë vendin, kjo është vetëvrasëse dhe ne nuk kemi për ta pranuar kurrë. Nga ana tjetër, investimet në infrastrukturë dhe të gjitha kategoritë që e bëjnë Shqipërinë më konkurruese janë në këtë buxhet si asnjëherë më parë. Ne duhet të bëjmë një sforco maksimale që të shkojmë përtej këtyre investimeve, duke parë më shumë, aty ku njerëzit jetojnë jetën e tyre në përditshme, në zonat periferike dhe rurale. Filozofia e këtij buxheti është që të krijojmë më shumë pasuri për ta shpërndarë më drejt.
Ne këtu nuk flasim për garë statistikash, sepse këtë garë e kemi fituar me këta që nuk janë këtu. Ne këtu në këtë buxhet flasim për pensionistët, për çiftet e reja, për fëmijët me aftësi të kufizuara, flasim për studentë që vijnë nga një familje me mundësi të pakta, flasim në këtë buxhet. Ndryshe nga ata që nuk dinë se çfarë flasin, ndryshe nga ata që thonë se nuk dinë se çfarë thonë, ndryshe nga sa pëllasin dhe ulërasin ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, ose nuk kuptojnë dhe kurrë mos kuptofshin. Kjo Shqipëri është Shqipëri tjetër dhe ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër dhe prandaj ne jemi më optimistë dhe më të bindur se ekonomia shqiptare nesër do të jetë shumë më e fortë se ekonomia sot”, tha kryeministri Edi Rama.



