Një 22-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Cërrik, pasi u kap duke lëvizur me armë zjarri në automjetin që drejtonte.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “Mesnata” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik, pas informacioneve operative se një person lëvizte i armatosur gjatë natës në lagjen nr. 3 të qytetit.
Në pranga përfundoi shtetasi 22 vjeç, banues në Pogradec, ndërsa pasagjeri në automjet, gjithashtu 22 vjeç dhe banues në Pogradec, u procedua në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën në bagazh një pushkë automatike, e cila dyshohet se posedohej pa leje nga drejtuesi i mjetit. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të tij u gjet edhe municion luftarak.
Sipas policisë, pasagjeri dyshohet se kishte dijeni për mbajtjen e armës dhe nuk kishte kallëzuar rastin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, 15 fishekë, automjeti dhe dy telefona celularë.



