Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend në kuadër të diskutimeve për buxhetin e vitit 2027, u shpreh se lehtësirat ekonomike, mbështetja dhe investimet janë fryt i kontributit të shqiptarëve në sektorë të ndryshëm, si sipërmarrja, bujqësia, prodhimi, turizmi dhe shërbimet.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë vuri theksin te nevoja për të nxitur më tej investimet vendase dhe ato të huaja, duke argumentuar se rritja e tyre krijon më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik dhe shpërndarjen e të ardhurave.
Rama kritikoi gjithashtu qëndrimet kundër investimeve të huaja, duke i konsideruar ato si një formë të “vetëvrasjes ekonomike”. Ai theksoi se Shqipëria nuk do të ndjekë një politikë që pengon ardhjen e kapitalit dhe investitorëve të huaj në vend.
““Në mbyllje dua të them se s’duhet të harrojmë për asnjë çështje se gjithë këto lehtësime, mbështetje, investime nuk bien nga qielli. Ato vijnë nga një punë kuptimplotë e shqiptarëve, e shqiptarëve që nuk dalin në televizor, e shqiptarëve që nuk flasin nëpër lajme se quhet reklamë, e shqiptarëve që nuk kanë kohë të ulërijnë në TikTok apo të shajnë në Instagram, e shqiptarëve që janë të organizuar në sipërmarrje, që janë të organizuar në ferma, në prodhim, turizëm, shërbime, e shqiptarëve që me aktivitetin e tyre kanë krijuar rrjetin e një ekonomie që i jep Shqipërisë sot mundësinë të rishpërndajë më shumë dhe, mbi të gjitha, kjo vjen nga një Shqipëri ku rriten investimet e brendshme dhe të huaja. Refuzoj çdo thirrje dhe qasje, e për më tepër çdo lloj pabesie dhe poshtërsie në kurriz të këtij vendi, që ushqen refuzimin dhe kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot të gjitha vendet, edhe Kina, edhe vendet naftëmbajtëse dhe të gjitha vendet e Europës janë në konkurrencë më të egër se kurrë se kush merr investime të huaja. Ne nuk mund të sillemi sikur ne duam të mbrojmë vendin nga investimet. Kjo është kundërhistorike dhe kjo është vetëvrasje ekonomike, dhe ne nuk kemi për ta pranuar kurrën e kurrës.”, tha Rama.



