Mbështetje financiare për familjet e reja, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe studentët nga familjet në nevojë. Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet në politikat sociale, duke njoftuar se bonusi i bebeve do të shtrihet në formën e një mbështetjeje deri në moshën 5-vjeçare të fëmijës, ndërsa ndihma mujore për studentët në nevojë do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë dhe do të përfshijë edhe ciklin e masterit.
“Për ne mbetet shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre këtu jo vetëm duke gjetur një punë, por duke mos pasur frikë të krijojnë familje për shkak se kanë pamundësinë për të patur një strehë.
Në drejtim të familjes, kemi ndryshuar një tjetër politikë, duke propozuar që nga bonusi i bebeve familjet të marrin një mbështetje në kohë deri kur fëmija mbush 5 vjec. I gjendemi pranë familjeve të reja, lehtësojmë barrën për rritjen e foshnjeve.
E kemi marrë këtë zotim, dyfishimi për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufuzuara, si edhe njohjen e sigurimeve për kujdestarët e tyre, sepse është një punë e përditshme, që nuk mund ta lemë në supet e prindit pa mbrojtje për të ardhmen e vet.
Në vijim të gjithë kësaj qasje, që lidhet me koston e jetesës, një propozim për studentët që vijnë nga familje në nevojë, duke rritur nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj dhe do të shtrihet edhe në ciklin e masterit. Edhe këto nuk janë gjëra që nuk kishim dashur ti bënim më parë, sot shtohen se ekonomia rritet”, u shpreh Rama.



