Pasojat e tërmetit në Durrës, banorët të terrorizuar

schedule14:33 - 22 Shtator, 2019

schedule 14:33 - 22 Shtator, 2019

Durrësi është qyteti dhe më afër epiqendrës së tërmeteve. Për këtë arsye edhe dëmet janë të shumta megjithëse për fat nuk pati njerëz të lënduar keq. Emergjencat kanë ngritur kampet me shtretër për të pritur njerëzit që duan të strehohen apo të kalojnë ankthin dhe frikën.

“Pallatet e ndërtuara para viteve 90’ si dhe shtëpitë e vjetra, janë ato që kanë pësuar më shumë dëmtime si pasojë e tërmeteve të fuqishme që goditën një ditë më parë qytetin bregdetar”.

Mure të plasaritura. Shtesa pallatesh të shkëputura plotësisht nga struktura ekzistuese. Suva e rënë. Në çdo lagje apo rrugë të Durrësit ka gjurmë të dëmeve të shkaktuara nga tërmetet.

Çarje të mureve janë të dukshme edhe në pallatet e reja. Isuf Sina është njëri prej atyre që i është prishur shtëpia. Ai përjetoi tmerr dhe po vuan pasojat.

“Këtu ke 10-15 plasaritje të betonit. Ky pallat ka qenë i fortë se e kemi bërë me dorën tonë. Gjithë rrezikun e kemi pasur në katin e parë. Aty ulur isha. Ne e përjetuam aq rrezikshëm saqë ikëm me vrap. Zbathur kemi dalë nga frika”.

Banorë të mbërthyer nga frika, nën ankthin e tërmeteve që goditën Durrësin, thonë se kaluan natën jashtë. Çadrat e ngritura nga bashkia pranë stadium, por edhe sheshet e hapura, larg banesave u mbipopullluan nga mijëra njerëz.

“Qemë t’u vdek prej frikës”.

Të dëmtuarit lutem të mos ketë më tërmete dhe presin t’u vlerësohet ajo që u ka ndodhur. Duan të dinë nëse shtëpitë e tyre janë të banueshme apo jo.

“Si ky tërmet nuk kisha parë ndonjëherë. Në momentin që dha një zhurmë shumë tronditëse mora gruan dhe dola jashtë. U tremba shumë dhe akoma jemi të stresuar”.

Grupet e shtabit të emergjencave ndodhen në terren. Ende nuk është përmbyllur bilanci.Por nga të dhënat e deritanishme flitet për 9 pallate dhe 188 shtëpi të dëmtuara.

Mbi 50 persona kërkuan ndihmë mjekësore. Tre prej tyre me fraktura të shkaktuara nga tërmeti, kurse të tjerë u lënduan kur braktisën objektet apo shfaqën shenja paniku, duke kërkuar ndihmë mjekësore./ABC News Albania 24/7