Ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në pronën e tij, por nga përhapja e flakëve në tokën e fqinjit u shkaktuan dëme materiale; arrestohet 57-vjeçari.
Në përpjekje për të shuar zjarrin, pësoi djegie i zoti i pronës, fqinji i autorit.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e autorësisë së një rasti zjarrvënieje, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin I. K., 57 vjeç, banues në fshatin Lumth, Lushnjë.
Ditën e djeshme, ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në fshatin Lumth, për djegien e mbeturinave, por flakët janë përhapur në tokën e fqinjit të tij, shtetasit A. A., ku si pasojë janë djegur një mjet bujqësor (zetor), një rimorkio dhe baza ushqimore për blegtorinë.
Shtetasi A. A., në përpjekje për të shuar flakët në pronën e tij, ka pësuar djegie. Ai po merr mjekim në Spitalin e Lushnjës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që, në asnjë rast, të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe çdo paligjshmëri tjetër, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.



