Vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar, të vrasjes së Englant Koçit, Armand Shakaj, i njohur si “kambisti” i Bitcoin, ndërsa forcat e policisë kanë intensifikuar kontrollet në zonat e Pëllumbasit dhe Qafë Mollës.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se operacionet janë përqendruar kryesisht në këto dy zona, të cilat sipas hetimeve paraprake frekuentoheshin shpesh nga Shakaj.
Intensifikimi i kontrolleve ka ardhur pas informacioneve dhe dëshmive të mbledhura nga banorë të zonës së Pëllumbasit, të cilët kanë deklaruar se kanë vënë re mjetin e përdorur nga i dyshuari.
Në terren janë angazhuar efektivë të policisë dhe grupe të specializuara kërkimi, të cilat po verifikojnë çdo pistë që mund të çojë në lokalizimin e tij.
Burimet bëjnë të ditur se kontrollet po zhvillohen në disa drejtime, përfshirë zona të pyllëzuara dhe vende të izoluara, ku dyshohet se Shakaj mund të ketë qëndruar ose lëvizur gjatë ditëve të fundit. Ndërsa dyshimet janë se Armand Shakaj vuan edhe nga një problem shëndetësor.
/abcnews.al/


