Mediat e Kolumbisë kanë publikuar një raport të Interpolit që konfirmon rrezikshmërinë e bandës mafioze shqiptare, që transportonte kokainë në Spanjë. Julian Deblini dhe Dritan Gradica me formim ushtarak, ushtronin presion familjeve të anëtarëve të bandës me mënyra të ndryshme, në mënyrë që ata t’i qëndronin besnikë.
Mediat e Kolumbisë kanë zbardhur detaje të reja sa i përket bandës së rrezikshme shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Tonelata e kokainës e kapur në Spanjë që doli nga Kolumbia, zbuloi një klient të ri për trafikantët kolumbianë. Pesë persona u arrestuan, ndër ta dy spanjollë një kolumbian dhe dy shqiptarët, Julian Deblini dhe Dritan Gradica. Radio Caracol citon një raport të Interpolit, ku detajohet rrezikshmëria e këtij grupi të trafikantëve që transportojnë drogë në Evropë dhe për të cilët punojnë disa organizata të sigurisë.
“Shumë nga anëtarët e bandës morën pjesë në luftën e Ballkanit dhe për këtë arsye ata veprojnë me profesionalizëm ushtarak duke përdorur brutalitetin dhe efektivitetin e tyre”, nënvizon raporti.
Gjithashtu Interpol tregon se ish-ushtarët fitojnë besnikërinë e komuniteteve të tyre dhe anëtarëve të bandës së tyre nëpërmjet kontrollit ekonomik dhe kërcënimit për sigurinë e tyre.
“Duhet të theksohet se këto grupe kriminale nga vendet e Evropës Lindore karakterizohen nga mënyra e tyre e punës, bazuar në besnikërinë e anëtarëve të tyre, të cilët i menaxhojnë duke kontrolluar familjet e tyre në Shqipëri me pagesa në para për t’i mbajtur ato, por në të njëjtën kohë për t’i kthyer ata në pengje, duke arritur të zgjerojnë lidhjet e tyre dhe tentakulat në të gjithë Evropën”, vijon raporti i Interpol, sipas medias kolumbiane.
Ndërkohë, raporti i inteligjencës tregon se ata që hyjnë në këto grupe kriminale mund ta bëjnë këtë vetëm në dy mënyra: kanë lidhje gjaku me pjesëtarë të besuar të bandës mafioze ose kanë vërtetuar besnikërinë e tyre. Gjithashtu media kokumbiane njofton se informacioni i këtyre grupeve kriminale është tashmë në duart e autoriteteve në pesë vende, përfshirë Shqipërinë./abcnews.al


