Kanë 2019/ “Te vdekurit nuk vdesin” hap edicionin e 72-të

schedule14:10 - 15 Maj, 2019

schedule 14:10 - 15 Maj, 2019

“Të vdekurit nuk vdesin” ka hapur edicionin e 72 të festivalit francez në Kanë. Në tapetin e kuq kanë parakaluar Selena Gomez, Klo Sevinji përkrah Bill Murrej dhe Adam Drajvër.

Është hapur sipari në Festivalin e Kanës. Sharlot Geinsburg dhe Havier Bardem kanë qenë protagonistët e ceremonisë së hapjes së edicionit të 72 që do të përmbyllet në 25 maj, me dorëzimin e Palmës së Artë nga ana e jurisë së drejtuar nga regjisori meksikan Inaritu. Pas hapjes gala, u projektua filmi pjesëmarrës në garë “Të vdekurit nuk vdesin” i Xhim Jarmush me Bill Murrej, Adam Drajvër, Tilda Suinton dhe Selena Gomez.

Regjisori meksikan Alehandro Gonzales, emocionoi platen e Teatrit të madh Lumjer duke theksuar lodhjen, përgjegjësinë dhe impenjimin që duhet për të gjykuar filmat e të tjerëve. Por ai falenderoi amëtarët e tjerë të jurisë duke thënë ishte një privilegj të përballej me kolegë kaq të ndryshëm.

Në fillim  të ceremonisë u bënë homazhe për Agnes Varda, regjisorja franceze e ndarë nga jeta në mars të këtij viti, fotografia e hershme e të cilës ishte dhe simboli I këtij edicioni të 72.

Zombit protagonist në filmin e hapjes “Të vdekurit nuk vdesin” i Xhim Jarmush nuk janë shumë të ndryshëm nga njerëzit e gjallë. Sapo rikthehen në tokë kanë të njëjtat pasione si gjithmonë: telefon të teknologjisë së fundit, Xaaks kundër panikut dhe Shardone për të pirë. Komedia horror ka një kast yjesh.

Historia flet për një qytezë të qetë në Sentërvill, një provincë e thellë amerikane, një rajon policie, disa shtëpi dhe shumë pak gjëra të tjera. Por në ajër ndihet diçka ndryshe. Kafshët fillojnë të sillen çuditshëm, janë agresivë dhe zhduken. Gjithçka nis kur policia fillon hetimet në fermën e zonës, atëherë zombit kthehen në tokë për tu ushqyer me të gjallët.

Gara do të ndizet kur të projektohen dhe krijime të tjera si “Të mjerët” e Ledi Li, I pari film francez që zbret në arenë dhe që ndez reflektorët mbi aktualitetin./ABC News Albania 24/7