Josa: Erzenin ta vlerësojmë, turp të flitet për aleanca që tani

schedule13:36 - 19 Gusht, 2022

schedule 13:36 - 19 Gusht, 2022

Vllaznia e nis kampionatin me një ndeshje kundër Erzenit dhe në prag të këtij dueli ka dalë para mediave trajneri Mirel Josa. “Nuk do të thotë se është start dhe do e fitojmë. Do shkojmë me mendimin për ta fituar, nuk ka rëndësi niveli i skuadrës përballë, por si jemi ne.

Duhet të vlerësojmë çdo ndeshje në maksimum sepse atëherë vlerësojmë punën tonë. Bulatovic mungon, nuk do jetë në lojë për arsye dëmtimi, është dëmtuar në Pogradec. Unë e di maksimumin e lojtarëve, kemi të tjerë që mund ta zëvendësojnë”.

“Erzeni? Luajmë me një skuadër që ka treguar karakter në Kategorinë e Parë. Pa vlerësimin e kundërshtarëve, nuk mund të fitohet një ndeshje. E vlerësojmë maksimalisht Erzenin”.

“Gara për titull? Në Shqipëri 6 skuadra deklarojnë që do dalin kampion. Shembullin e keni me Vllazninë, që ishte 13 pikë para në kampionat dhe e humbi. Duhet të shohim çfarë do të bëjmë në fushën e lojës. Objektivi i skuadrës është të fitojë çdo ndeshje”.

“Mala? Nuk besoj do jetë i gatshëm për nesër. Dhe të ishte me lejen e kalimit gati, nuk do mundej sepse gjendja e tij nuk është e gatshme. E kam kërkuar vetë Malën në skuadër, pasi e dimë rendimentin e tij, prandaj shpresoj të zgjidhet çështja e letrave”.

“A duhet të bëjë aleanca Vllaznia? Nuk e diskutoj problemin e aleancave. Vllaznia do ketë problem grupin që do krijojë. Kur vjen puna e aleancave është turp t’i përmendim një ditë para fillimit të kampionatit.

Në qoftë se fillojmë me aleanca, do e kemi mendjen te aleancat që do bëjnë klubet e tjera. Klubet e tjera le të bëjnë çfarëdo aleance të duan, qoftë aleancë ndërmjet tyre, qoftë ndonjë aleancë tjetër që mundohen të bëjnë ne do shohim punën tonë”, përfundoi trajneri i Vllaznisë. / abcnews.al