Haradinaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e qeverisë tranzitore

schedule19:38 - 26 Korrik, 2019

schedule 19:38 - 26 Korrik, 2019

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kompetencat që do të ketë qeveria në detyrë deri në zgjedhje, pas situatës së re të krijuar që nga dorëheqja e tij e parevokueshme.

Paqartësitë lidhur me kompetencat dhe vendimet që mund të marrë qeveria deri në zgjedhjen e qeverisë së re ka ndikuar që kryeministri Ramush Haradinaj të mos vazhdoj me rendin e ditës në mbledhjen e sotme.

Ai ka ngarkuar zyrën ligjore të kryeministrisë të sqarojë situatën e Qeverisë që tashmë është dorëhequr, dhe t’i drejtohet me pyetje Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka kërkuar aprovimin e ministrave për këtë çështje, por u kundërshtua nga zëvendëskryeministri dhe ministrat e PDK-së të cilët insistonin që të ketë një takim mes liderëve politik të koalicionit në mënyrë që të marrin një vendim.

Ramush Haradinaj: Të vendosim bashkarisht për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, a dëshironi me shqyrto këtë bazën që ka dhënë zyra ligjore.

Enver Hoxhaj- Zv/Kryeministër në largim: Një koordinim politik do të ishte më lehtë edhe për ne të marrim një vendim për Gjykatë Kushtetuese.

Haradinaj nuk ka dashur të gjykojë zvarritjen një takimi konsultues të  presidentit me partitë politike.

Ramush Haradinaj: Mendoj që Presidenti e ka situatën shumë të thjeshtë para vetes. Nuk i kërkon shumë punë, kur i mbledh partitë politike dhe u jep opsionet.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit javën e kaluar për shkak të ftesës që i kishte ardhur nga Gjykata Speciale për tu marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit./ABC News Albania 24/7