Gjyqtarja, konflikt interesi me Malltezin/ Ilirjana Olldashi bleu apartament nga kompania e tij

schedule19:15 - 22 Nëntor, 2023

schedule 19:15 - 22 Nëntor, 2023

Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Ilirjana Olldashi, ishte në konflikt interesi për të dhënë vendimin për Jamarbër Malltezit. Në deklaratën pasurisë zbulohet se Olldashi ka blerë apartament tek kullat e ndërtuara te ish-kompleksi Partizani nga kompania “Homeplan” dhe “Kontakt”.

Apartamenti, sipas dokumentit rezulton se është blerë në vitin 2015. Bëhet fjalë për një hyrje me sipërfaqe 91.6 metra katror me çmimin në total 65 mijë euro, një vlerë të përllogaritur për m 2, 712 euro, mjaft i lirë për tregun.

Në deklaratën e pasurisë rezulton se, apartamenti është shlyer me këste nga ana e gjyqtares dhe kësti i fundit është dhënë në vitin 2016. Pikërisht, kompania ‘Homeplan’ është në qendër të procesit dhe atje është aksioner Jamarbër Malltezi, person nën hetim që ndodhej në burg.

Referuar vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë 45% e shoqërisë Home plan shpk është vënë nën sekuestro pasi rezulton në pronësi të Jamarbër Malltezit.

Nga ana tjetër sipas SPAK, Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave.