Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, nga Sarandë, prezantoi planin e masave për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të suksesshëm. Ajo theksoi se institucionet kanë marrë masa për menaxhimin e fluksit të turistëve në portin e Sarandës, duke shmangur vonesat dhe garantuar siguri maksimale.
Sipas saj, Shqipëria është vlerësuar për menaxhimin efikas të kufijve, pavarësisht rritjes së madhe të numrit të turistëve në vitet e fundit. Sipas saj, masat përfshijnë shtimin e sporteleve dhe personelit në pikat kufitare, përmirësimin e sinjalistikës rrugore, lehtësimin e procedurave kufitare, kalata të dedikuara për anijet turistike dhe patrullim të vazhdueshëm në bregdet.
Gjithashtu, zv.kryeministrja theksoi se shërbimi i zjarrfikësve dhe ai i urgjencës janë në gatishmëri. Më tej, Koçiu njoftoi edhe aplikimin e sistemit e-Gate në portet e Sarandës dhe Durrës, pas suksesit që ka pasur në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Fjala e plotë:
Në një vend ku numri i turistëve është dy- fishuar, tre – fishuar në pesë vitet e fundit, problemi i menaxhimit të fluksit turistik do të ishte mëse i mundshëm.
Por kjo gjë nuk ka ndodhur, madje, në një kohë kur sistemi i ri Europian i Kontrollit Kufitar po krijon radhë dhe vonesa të mëdha në vendet e BE, Shqipëria është cilësuar nga shumë burime si një shembull për mirëmanaxhimin e kufirit dhe mungesën e radhëve. Ky shembull i vendosur nuk është rastësi, por produkt direkt i një pune shumë voluminoze të institucioneve tona.
Çdo vit, plani i masave është bërë edhe më i detajuar, duke shoqëruar hap pas hapi rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve që zgjedhin si destinacion Shqipërinë.
Policia e Shtetit, Policia Rrugore, Policia Kufitare, të gjithë institucionet e tjera kanë nisur dhe kanë vendosur në zbatim një plan masash duke filluar nga:
-Shtimin e sporteleve dhe personelit në detyrë në pikat e kalimit kufitar.
-Përmirësimin e sinjalistikës rrugore.
-Caktimin e kalatave të dedikuara për anijet turistike.
-Lehtësimin e procedurave të kalimit të kufirit.
-Si dhe patrullim i vazhdueshëm i hapësirave bregdetare për të garantuar sigurinë në det nga mjetet lundruese.
Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikëseve është përgatitur gjithashtu për të përballuar çdo situatë, sidomos sa i përket mundësisë së vatrave të zjarrit. Shërbimi Kombëtar i Urgjencës, si dhe MSHMS, kanë zgjeruar më tej programin e tyre të suksesshëm të Qendrave Shëndetësore Verore.
Ministria e Kulturës, po vendos në funksion një seri eventesh dhe ngjarjesh të larmishme kulturore. Gjithashtu institucione të tjera të varësisë si inspektoriatet, janë përgatitur për të siguruar që plani i masave të marra të zbatohet me përpikmëri.
Dy fjalë dua të them dhe për sistemin e ri që shumë shpejt do të aplikohet në Portin e Sarandës dhe atë të Durrësit.
Sistemi e-Gate, në Aeroportin “Nënë Tereza” ka rezultuar shumë i suksesshëm në reduktimin e kohës së kalimit të kufirit në vetëm pak minuta. Saranda, është gjithmonë e më shumë një ndër destinacionet më atraktive të ofertës tonë turistike. Kam bindjen që edhe ky sezon turistik, me të gjithë organizimin dhe angazhimin e institucioneve tona do të garantojë që të kemi një sezon turistik të suksesshëm në të gjithë vendin.


