Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Greshicë të Mallakastrës, duke rrezikuar disa banesa pranë zonës së përfshirë nga flakët.
Ndërhyrja e shpejtë e repartit zjarrfikës të Mallakastrës ka bërë të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit brenda rreth një ore, duke shmangur përhapjen drejt shtëpive të banimit.
Nga zjarri raportohet se janë dëmtuar rreth 30 rrënjë ullinj, disa sipërfaqe me vreshta, si dhe bazë ushqimore e destinuar për bagëtitë.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një banor i zonës, i cili po digjte mbetje bimore në oborrin e banesës. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në drejtim të zonave përreth, duke krijuar rrezik për banesat.
Ky është zjarri i tretë i regjistruar në 24 orët e fundit në territorin e Mallakastrës, duke rritur shqetësimin për përhapjen e vatrave të zjarrit gjatë kësaj periudhe.


