Pas 4 vitesh “intensive” në Gjermani, me “shqiponjat” e Eintracht Frankfurt, ku padyshim ka qenë një ndër protagonistët e lojës së gjermanëve, “fantazisti” japonez i mesfushës, Daichi Kamada, duket se ka vendosur ta mbyllë “aventurën” e tij në Frankfurt, teksa do të largohet nga ekipi në fund të sezonit aktual.
Lajmi e largimit të 26-vjeçarit japonez në fund të sezonit e ka bërë të ditur vetë klubi, teksa është mësuar gjithashtu se “fantazisti” do të largohet falas në merkaton e verës, pas skadimit të kontratës aktuale me “shqiponjat” e Eintracht, kontratë të cilën pas shumë negociatash Kamada nuk vendosi ta rinovonte.
Tashmë, japonezi po mendon për një “aventurë” të re dhe në media tashmë janë aluduar 3 destinacone të reja për mesfushori. Fillimisht janë “verdhezinjtë” e Borussia Dortmund të cilët shihen si “kandidatët” kryesorë për të nënshkuar me japonezin, si dhe e kanë të nevojshëm një lojtar si Kamada në organikën e tyre. Ndërkaq, në “garë” për shërbimet e japonezit janë gjithashtu dhe Barcelona e Atletico Madrid, të cilët prej kohësh e kanë mbajtur nën “vëzhgim” 26-vjeçarin.
Ndërkaq, kujtojmë se Kamada u transferua tek Eintracht Frankfurt në sezonin 2017-2018 dhe pas një huazimi në sezonin pasardhës, prej 4 vitesh tashmë Kamada është kthyer në një “protagonist” absolut në mesfushën e Frankfurt, ekip për të cilin ka zhvilluar plot 170 ndeshje në të cilat ka shënuar 37 gola dhe ka dhuruar 29 asistime. Përsa i përket trofeve, Kamada ka arritur të triumfojë në Kupën e Gjermanisë, “DFB Pokal”, në sezonin 2017-2018, ndërsa arritjet e tjera janë në Evropë, ku fillimisht arriti gjysmë-finalet e Europa League në sezonin 2019-2020 dhe arriti të triumfonte në po të njëjtin kompeticion, vitin e shkuar teksa mundën në finale skocezët e Rangers pas goditjes së penalltive në arenën “Ramon Sanchez Pizjuan” të Seviljes. /i.m /abcnews.al


