Djali i Brdaric, sozia e Salah dhe Baravykas: Merkato e Superiores “zjarr”

schedule08:54 - 22 Janar, 2021

schedule 08:54 - 22 Janar, 2021

Lëvizje në shumë klube të Superiores. Akorde dhe lojtarë në provë, duke nisur nga Apolonia e vendit të fundit që ka rikthyer në Shqipëri Alexandros Abdel Rahim, një lojtar që para dy sezonesh ishte te Kastrioti dhe spikati në fazën përgatitore.

I “bekuar” me nofkën Salah prej modelit të flokëve, sulmuesi anësor që ka luajtur në shumë skuadra të ligës së tretë në Greqi, u tentua edhe nga ekipe të tjera të Superiores, por Kastrioti nxitoi të nënshkruante me të. Gjithsesi ai luajti vetëm tre ndeshje dhe u largua para kohe. Tani tenton të bindë Apoloninë.

 

Rahim ne nje ndeshje me Kastriotin

“Panorama Sport” sjell në numrin e sotëm edhe lëvizje të tjera. Ariel Muçollari, i larguar nga Flamurtari, i është bashkuar ekipit të Bylisit. Mbrojtësi i majtë është vënë nën urdhrat e trajnerit Veljko Dovedan.

Lëvizje edhe në Shkodër, aty ku Tim Brdaric është emri i ri. Bëhet fjalë për djalin e trajnerit të Vllaznisë, Tomas, i cili luan si qendërmbrojtës. I rritur në akademitë e Dusseldorf dhe Wolfsburg, 20-vjeçari po luante në ligën e pestë me Monheim së fundmi. Gjasat janë që Brdaric Jr. të luajë me ekipin e 21-vjeçarëve të Vllaznisë.

Edhe Kukësi është vënë në lëvizje dhe raportohet se ka arritur akordin me Rolandas Baravykas, futbollistin e Lituanisë që aktivohet si mbrojtës i djathtë. 25-vjeçari dy sezonet e fundit ka luajtur në Qipro me Nea Salamis, ku hapësirat i ka pasur të paktë.

Pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në vendlindje, ku ka luajtur me Zalgiris dhe në vitin 2018 është shpallur edhe kampion. Baravykas ka qenë pjesë edhe e Atlantas. /abcnews.al