Dikur simbol i miqësisë mes Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë, sot vendi ku raketat “mbijnë” si lule në oborret e shtëpive

schedule09:24 - 26 Prill, 2022

schedule 09:24 - 26 Prill, 2022

Fshati që dikur simbolizonte miqësinë midis Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë është kthyer në frontin e parë të luftës me banorët që jetojnë mes frikës nga raketat dhe predhat që vijnë papritmas, në oborret e shtëpive tyre.

Fshati Senkivka në Ukrainë i cili ndodhet në kufi midis 3 vendeve ka humbur çdo gjallëri, tashmë fshati është transformuar në fshat fantazmë. Fotoja e publikuar nga BBC i tregon të gjitha, bishti i një rakete i ngecur në oborrin e një shtëpie. Raketa ra në oborrin e shtëpisë që prej 24 shkurtit, fillimi i luftës Rusi-Ukrainë.

“Dëgjova një zhurmë të madhe dhe kudo pashë zjarr dhe tym që vinin nga raketa që kishte ngecur në oborrin tim”, tha për BBC Nina, pronarja e shtëpisë.

Në ditët që pasuan, e fshehur në një bodrum, ajo dëgjoi aeroplanët që fluturonin sipër, automjetet e rënda që hynin brenda dhe bilbilat duke u fryrë shpesh. Shumë raketa të tilla janë shpërndarë në të gjithë fshatin.

Ekspertët që kanë parë imazhet e raketave kanë thënë për BBC se ato mund të mbanin bomba thërrmuese, të ndaluara në pjesë të tjera të botës për shkatërrimin që shkaktojnë. Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë akuzuar për përdorimin e tyre.

Edhe pas tërheqjes, Nina nuk ndihet e sigurt.

“Është e frikshme të jetosh kështu, por jam mësuar me shtëpinë time, ku do të shkoj? Unë dëgjoj bombardime. Mund t’ju tregoj nga oborri im postbllokun rus”, tha ajo.

Shtëpia e saj dhe të tjerat në fshat janë të dukshme nga Rusia. Trupat e saj mund të shohin se çfarë kanë qëlluar.

Ndërsa për Lidiya Bilousova, është hera e dytë në jetën e saj që sheh tanke në pragun e shtëpisë. E lindur në vitin 1930, ajo kujton Luftën e Dytë Botërore dhe ushtarët gjermanë që erdhën në fshatin e tyre.

“Ne ishim paralajmëruar nga ushtarët tanë në tërheqje se ata do të vinin. Kështu u fshehëm në llogore. Në agim, ata ishin në rrugët tona, me kuajt dhe makineritë e tyre, duke kaluar nëpër kopshtet tona me automatikë. Por nuk pati asnjë granatim masiv si tani,” tha ajo.

“Atë ditë, unë mund të ikja. Tani jam plakur. Nuk mundem më”./abcnews.al/