Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Distribution of Elements”, në kuadër të të cilit është arrestuar një 29-vjeçare dhe janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, të dyshuar për sigurimin dhe shpërndarjen e sendeve të kundërligjshme për protestën e zhvilluar më 28 nëntor.
Gjatë operacionit, uniformat blu kanë sekuestruar 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla, 59 tuba metalikë, dy maska kundragaz, si dhe veshje të ndryshme, doreza, maska, kapele, dy telefona celularë dhe sende të tjera.
Në pranga ka rënë shtetasja 29 vjeçe, e cila është lokalizuar në rrugën “Qemal Stafa”, në Tiranë, teksa udhëtonte me një automjet tip “Fiat”. Gjatë kontrollit të automjetit është zbuluar dhe sekuestruar sasia e konsiderueshme e materialeve të kundërligjshme.
Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçarja, në bashkëpunim me dy shtetasit të shpallur tashmë në kërkim, siguronin dhe shpërndanin këto sende për t’ua vënë në dispozicion pjesëmarrësve në protestë, me qëllim përdorimin e tyre në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.


