Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka bërë thirrje Ukrainës që të shmangë përhapjen e konfliktit me Rusinë në rajonin e Mesdheut, pas sulmeve të Kievit ndaj dy anijeve ruse në Libi.
Sipas njoftimit të ushtrisë ukrainase, sulmi i kryer javën e kaluar shkaktoi dëme në një anije mallrash dhe fundosi anijen luftarake “Merkury”, një prej mjeteve më të reja detare të flotës ruse.
Ukraina bëri të ditur gjithashtu se anija e mallrave, “MV Angara”, ishte përdorur nga Rusia për transportimin e armëve.
Pamjet e publikuara nga një dron tregojnë momentin kur ai godet anën e anijes “Merkury”, e cila ndodhej në një bazë detare në qytetin bregdetar të Bengazit, në Libi. Goditja u shoqërua me shpërthime të fuqishme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi operacionin si “shembullor”, duke theksuar se objektivi i sulmit ishte ushtria e Moskës dhe jo shteti libian.
Megjithatë, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të premten me homologun e saj ukrainas, Meloni shprehu shqetësimin e Italisë për zhvillimet. Ajo i tha Zelenskyt se forcat ukrainase kishin “shkelur sovranitetin e Libisë” dhe se ky operacion “rrezikon ta zgjerojë konfliktin në Mesdhe”.
Në deklaratën zyrtare lidhur me telefonatën thuhet se Meloni rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për Ukrainën, por nënvizoi se kjo mbështetje “nuk mund të përkthehet në pranimin e nismave që vënë në rrezik sigurinë e Italisë dhe të rajonit”.
Nga ana tjetër, Zelensky reagoi përmes një postimi në platformën X, të publikuar vonë të premten, ku bëri të ditur se gjatë bisedës të dy liderët kishin trajtuar “çështjet me të cilat po merremi aktualisht”. Ai theksoi se “është e rëndësishme që ta kuptojmë njëri-tjetrin”.
“Konfirmova se operacioni i fundit në Libi u krye pa koordinim paraprak me partnerët tanë evropianë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai shtoi se kishte riafirmuar angazhimin e Ukrainës për të garantuar shkëmbimin e të gjithë informacionit të nevojshëm mes autoriteteve përkatëse, si dhe për të mbajtur komunikim të drejtpërdrejtë, të rregullt dhe efektiv.
Ndërkohë, lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të pestë, po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt operacioneve ajrore, me përdorimin e gjerë të dronëve dhe raketave. Pavarësisht intensifikimit të këtyre sulmeve, asnjëra nga palët nuk ka arritur deri më tani të sigurojë një epërsi vendimtare në terren.


