Bilanc lufte në rrugët e Shqipërisë, 39 të vdekur nga aksidentet në muajt shtator-tetor

schedule13:07 - 27 Tetor, 2019

schedule 13:07 - 27 Tetor, 2019

Bilanc lufte në rrugët e Shqipërisë nga aksidentet me vdekje. Gjatë dy muajve të fundit u shënuan 39 viktima, 14 më shumë se shtator-tetori i 2018. Muaji më i përgjakshëm deri më tani ka qenë qershori me 26 viktima.

Aksidentet rrugore shkaktojnë më shumë viktima në Shqipëri sesa vrasje, apo edhe humbjet e jetëve nga sëmundjet kancerogjene.

Gjatë muajve shtator-tetor humbën jetën 39 persona duke shënuar një rritje të ndjeshme me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 25 viktima.

Nga 1 deri 26 të tetorit 2019 u shënuan 19 aksidente fatale. Tre viktima më shumë sesa tetori i 2018. Po kështu i lartë ka qenë edhe numri i të plagosurve rëndë dhe i aksidentetve në total.

Viktimat nga aksidentet kanë shënuar rritje edhe pse masat ndëshkuese nga efektivët e policisë rrugore ishin të ashpra si; prangosje të drejtuesve të autmjeteve në gjendje të dehur apo edhe pezullim të lejeve të drejtimit.

Krahasuar me vendet e Bashkimit Europina numri i aksidenteve me vdekje në vendin tonë është disa herë më i lartë në raport popullsie.

Trend rritje të aksidenteve me vdekje ka shënuar edhe muaji shtator. 20 persona humbën jetën, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë humbën jetë 9 shtetas. Pjesa më e madhe e aksidenteve u shënua gjatë akseve kombëtare, si edhe autostradën Tiranë- Elbasan dhe Tiranë- Durrës.

Nga janari deri në fund të shtatorit vdiqën nga aksidentet rrugore 157 persona. Në 9-mujorin e 2018 shifra ishte 5 më pak.

Ajo që shqetëson më tëpër specialistët e policisë së Qarkullimit Rrugor është fakti se gjatë muajve shtator tetor, në mbi 80  % të rasteve, aksidentet kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së gabuar të drejtuesit të mjetit.

Gazetar: Andi Qosja

/ABC News Albania 24/7