“Besoj shumë tek qytetaria shkodrane”, Meta: Duke bashkëpunuar mund ti kthehemi normalitetit

schedule13:06 - 7 Prill, 2020

schedule 13:06 - 7 Prill, 2020

Presidenti i Republikës Ilir Meta në një prononcim për mediat nga qyteti i Shkodrës u shpreh se personat të cilët janë të prekur nga COVID-19 duhet të komunikojnë me autoritetet përkatëse për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.

Meta u shpreh se sa më shumë bashkëpunim të ketë shumë më shpejt mund ti rikthehemi jetës normale.

“Jam i bindur se mes këtij bashkëpunimit do të arrijmë dhe në Bashkinë e Shkodrës që është e vështirë duke parë shtrirjen e saj. Por dhe në çdo cep të këtij qarku për të ndihmuar shëndetin e qytetarëve tanë.

Qytetarët të jenë bashkëpunues. Mos ndihet fajtor dhe mos rrezikojë. Nuk është turp të kesh COVID-19, është turp të jesh i pakujdeshëm dhe të infektosh familjarët dhe miqtë. Jemi në rrugën e duhur, drejt përmirësimit të situatës. Duke filluar nga sot edhe në qarkun e Shkodrës që është mjaft i ekspozuar edhe për shkak të Pikave Kufitare. Shpresoj dhe besoj shumë tek qytetaria shkodrane, përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi.

Procesin e kufizimeve po e ndjekin të gjitha vendet pa përjashtim. Madje ne jemi edhe fqinj i Italisë që kemi shkëmbimet më të mëdha kështu që në këtë drejtim duhet të jemi të duruar dhe të respektojmë kufizimet.

Përmes gjurmimit të të gjitha rasteve dhe testimeve të realizuara për shkak të gjurmueshmërisë të izolojmë të gjitha raset. Të kemi shërim të personave të prekur dhe vatrave. Besoj shumë në bashkëpunim. Sa më shumë bashkëpunim aq më shpejt do ti kthehemi jetës normale”, u shpreh Meta.

/abcnews.al