Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rreth 5 mijë qytetarë protestojnë në Lozanë kundër shkurtimeve në sektorin publik

schedule22:01 - 24 Nëntor, 2026

schedule 22:01 - 24 Nëntor, 2026

Afërsisht 5 mijë persona dolën të martën në rrugët e Lozanës, në Zvicër, për të kundërshtuar masat e kursimit dhe shkurtimet buxhetore që autoritetet planifikojnë të zbatojnë në sektorin publik të kantonit Vaud.

Tubimi u organizua pak ditë para se parlamenti kantonal të nisë shqyrtimin e buxhetit, proces që është paraparë të fillojë më 1 dhjetor.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Le Temps, në organizimin e protestës ishin të përfshira sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e sektorit publik dhe gjysmëpublik, SSP dhe SUD.



Protestuesit nisën grumbullimin rreth orës 18:00 në sheshin Montbenon. Pas rreth 45 minutash, ata u nisën në marshim drejt selisë së qeverisë kantonale, duke kaluar përmes sheshit Saint-François dhe urës Bessieres.

Numri i pjesëmarrësve ndryshon sipas vlerësimeve të publikuara. Agjencia Keystone-ATS raportoi për rreth 4 mijë protestues, ndërsa policia bëri të ditur se në marshim ishin afërsisht 5 mijë persona.

Në mesin e të pranishmëve kishte edhe një numër të konsiderueshëm të rinjsh, të cilët përmes pankartave shprehën kundërshtimin e tyre ndaj shkurtimeve që mund të prekin arsimin dhe shërbimet publike.

Përgjatë marshimit u dëgjuan thirrje kundër politikave të kursimit. Sindikatat kërkuan që plani për shkurtimin e shpenzimeve të tërhiqet, duke propozuar që deficiti i parashikuar të mbulohet përmes rezervave financiare dhe të ardhurave të jashtëzakonshme të kantonit.

Protestat nuk u zhvilluan vetëm gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë ditës pati greva dhe aksione protestuese edhe në disa institucione të rëndësishme, mes tyre Spitali Universitar i Lozanës (CHUV), Universiteti i Lozanës dhe Shkolla e Lartë e Punës Sociale. Mobilizime u raportuan gjithashtu në disa shkolla dhe gjimnaze.

Bëhet fjalë për ditën e dytë të grevës dhe protestën e tretë të organizuar këtë vjeshtë në kantonin Vaud. Aksioni i parë u mbajt më 5 nëntor, ndërsa më 20 nëntor në Lozanë u zhvillua një tjetër mobilizim masiv, ku morën pjesë rreth 10 mijë persona, transmeton Telegrafi.

Në qendër të pakënaqësisë së sindikatave është paketa e kursimeve, e prezantuar nga autoritetet kantonale në shtator. Përfaqësuesit e punonjësve kundërshtojnë shkurtimet dhe kërkojnë që institucionet të shfrytëzojnë rezervat financiare për të përballuar deficitin, në mënyrë që pasojat e masave të mos bien mbi punonjësit dhe cilësinë e shërbimeve publike.

Çështja pritet të marrë vëmendje në ditët në vijim, kur parlamenti kantonal do të nisë shqyrtimin e buxhetit më 1 dhjetor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!