Bëhet realitet edhe në Shqipëri gjigandi i hotelerisë “Hilton Garden In”

schedule23:27 - 26 Shtator, 2018

schedule 23:27 - 26 Shtator, 2018

Hap dyert në kryeqytet linja e gjigandit të hotelerisë në botë “Hilton Garden in”. Kryeministri i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit tha se kjo është dera e parë e hoteleve me 5 yje që do të pasohet nga shumë të tjerë.

Rrjeti prestigjioz global i hotelerisë “Hilton Garden in” tashmë është prezent edhe në Shqipëri. Shiritin e inaugurimit e preu ministri  i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se tashmë numri i vizitorëve të huaj është vënë në një trend rritjeje të qëndrueshme, ndaj kohët e fundit bizneset vendase dhe të huaja po orientohen drejt investimeve në hotele në vendin tonë.

Rama e quajti si portën e parë të hoteleve me 5 yje në Shqipëri, e cila sipas tij do të pasohet nga shumë të tjera, jo vetëm në Tiranë, por edhe gjatë vijës bregdetare.

“Kam shumë besim se kjo portë që hapet në botën e hoteleve me 5 yje, është e para larg së qeni e fundit dhe shumë shpejt ne do gjendemi sërish sëbashku për të hapur porta të tjera me 5 yje këtu në kryeqyet, por jo vetëm në kryeqytet, por edhe përgjatë bregdetit, falë një hapësire të re legjislacioni dhe një qasje të re ndaj këtij niveli hotelesh që sjellin cilësi për turizmin, më shumë të ardhura, dije dhe kulturë pune në hoteleri. Ne do kemi në pak vite një hartë të ndryshuar të Shqipërisë në këtë aspekt dhe do vendosim një themel të fortë për të ndërtuar një industri turizmi që sot i mungon ky kat i lartë dhe i domosdoshëm”.

Drejtuesit garantojnë cilësi shërbimi si në të gjithë rrjetin Hilton në  Europë. Tashmë ky  hotel  do të jetë vend ideal për takime pune dhe bznesi, sallë konferencash, ambjente ekspozimi si dhe një oaz ideal  gëzimi dhe festimi.

Hilton është një rrjet hotelesh luksi i shtrirë në gjashtë kontinente me rreth 570 linja akomodimi.

Zgjerimi i markave të njohura të hotelerisë në tregun shqiptar pritet t’i japë një dimension të ri kryeqytetit shqiptar.

Hoteli Hilton Garden Inn është i vendosur tek ish-Uzina Enver përgjatë Rrugës së Kavajës, poshtë kryqëzimit të 21 Dhjetorit. /abcnews.al