Basha sulmon prokuroret Marku e Prela për transferimin e “dosjes 184”

schedule14:43 - 22 Gusht, 2019

schedule 14:43 - 22 Gusht, 2019

Në një koment për transferimin e kësaj dosjeje në Prokurorinë e Dibrës, kreu demokrat sulmoi drejtueset e dy prokurorive Arta Markun dhe Donika Prelën, duke i quajtur Katicat e Ramës. Basha foli sot edhe për kreun e Bashkisë së Vorës, duke thënë se Rama ka qenë në dijeni për problemet e tij me ligjin në Greqi. Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, parashikon për Arta Markun dhe Donika Prelën të njëjtin fat si ai i Prokurores maqedonase, Katica Janeva që aktualisht ndodhet pas hekurave. Në një dalje për mediat, Basha theksoi se me vendimin e tyre për të shpallur moskompetencë për dosjen 184, për blerjen e votave në Dibër, Marku dhe Prela kanë zgjedhur të vetëflijohen për kryeministrin Rama. Kreu i opozitës foli edhe për një dosje të hapur të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku për të cilën sipas tij është në dijeni edhe kryeministri Rama, të cilin e kanë informuar partnerët ndërkombëtarë.

Lulzim Basha i kujtoi prangat kryeprokurores së Përgjithshme, Arta Marku dhe drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Për kreun e opozitës, me vendimin që dy drejtueset e larta të organit të akuzës morën për shpalljen e moskompetencës për dosjen e Dibrës 184 do të kenë fat të ngjashëm me atë të koleges së tyre maqedonase Katica Janeva, që aktualisht ndodhet pas hekurave.

Përgjegjësinë kryesore, kryedemokrati e sheh te Edi Rama. Për këtë solli në vëmendje rastin e një tjetër kryebashkiaku socialist, për të cilin edhe pas sinjalizimeve ndërkombëtare e kandidoi për Bashkinë e Vorës.

Për të treguar kontrastin me nivelin e përfaqësimit dhe sjelljen në raport me ligjin, PD do të paraqesë në shtator platformën e saj përmes së cilës do të kërkojë të marrë pushtet përmes votës.

Kriza që po kalon vendi për kreun e opozitës është shumë e thellë, ndaj edhe koha për t’i dhënë zgjidhje duhet të jetë e afërt. Pas një takimi mbi 60 minuta që zhvilloi me ambasadorin e ri gjerman, Peter Zingraf, Basha tha se është i gatshëm të investohet për të zgjidhur krizën.

Javën e ardhshme, kryedemokrati Lulzim Basha pritet të zhvillojë takime intensive me aleatët e tij dhe strukturat më të larta të Partisë Demokratike, ku do të vendoset mbi vijimin e aksionit opozitar.

/ABC News Albania 24/7