Balla: Nuk do ketë zgjedhje të parakohshme, opozita të njohë deputetët e saj në Kuvend

schedule20:08 - 22 Tetor, 2019

schedule 20:08 - 22 Tetor, 2019

Mazhoranca nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, gjatë një interviste në televizionin ABC News, deklaroi se nuk e kanë ndërmend të abuzojnë me detyrën që qytetarët u kanë dhënë. Sipas Ballës zgjedhjet do të mbahen në vitin 2021 dhe do të zhvillohen me Kod të ri Zgjedhor.

“Të gjithë e dimë edhe ju. Këtu nuk bëhet fjalë që ka ndonjë dyshim që PS nëse bëhen zgjedhje të dielën nuk i fiton zgjedhjet, madje i fitojmë edhe me diferencë të madhe. Ky popull është lodhur nga historitë që partitë të bëjnë llogaritë e tyre. Ata duhet t’i qëndrojnë kalendarit politik për të cilën janë votuar. PS ka përditë një punë për të realizuar. Ka ca të papunë që e masin normën e punës me daljet në konferencë për shtyp. Ne kemi një objektiv.

Askush, as ne nuk e kemi këtë drejtë të themi në mënyrë abuzive që i duam zgjedhjet tani se ti na ke thënë me Kushtetutë ti kemi në Qershor 2021. Do zhvillohen me Kodin e ri Zgjedhor. Ka vetëm një palë zgjedhje të parakohshme për shkak të dorëheqjes së kryetarit të Bashkisë së Shkodër”, tha Balla, duke i bërë edhe thirrje Presidentit Meta që të dekretojë datën e re të zgjedhjeve.

Për sa i përket opozitës, Balla tha se duhet të njohë deputetët e saj në parlament dhe në këtë mënyrë do të realizohet edhe detyra që ajo ka në lidhje me 9  kushtet e caktuara nga Bundestagu gjerman.

“Ju thatë që edhe opozita i respekton 9 pikat. Opozita ka vetëm 1 detyrë në 9 pikat. E dini kush është detyrimi? Që të mos vonojë më historinë e miratimit… miratimit se nuk kanë gjë në dorë se e bën Kuvendi.  Mirë të njihnin deputetët në parlament, dhe bashkë me ta të hartonin vlerësimet e tyre dhe Kuvendi ta miratojë”, tha Balla, i cili rikujtoi edhe qëndrimin e Palmer disa muaj më parë, sipas të cilit ka një mënyrë për të ripërfshirë PD dhe LSI-në, që është njohja si përfaqësues të tyre deputetët që kanë hyrë në Kuvend nga listat e tyre./abcnews.al